Sigal Prishtina fiton Kupën e Kosovës në basketboll

Në palestrën “13 Qershori” në Suharekë është zhvilluar finalja e Kupës së Kosovës në konkurrencën e meshkujve. Në këtë sfidë janë vënë përballë Bashkimi dhe Sigal Prishtina, dhe fitues i Kupës së Kosovës për këtë edicion janë bardhekaltrit që fituan me rezultat 74-77.

Në dhjetëminutëshin e parë, skuadrat ishin të kujdesshme, mirëpo ekipi nga kryeqyteti arriti që ta mbyllte me epërsi (17-23).

Në çerekun e dytë, prizrenasit u angazhuan për ta ngushtuar diferencën dhe në një moment arritën ta barazonin rezultatin, mirëpo Prishtina sërish krijoi epërsi dhe shkoi në pushim me rezultat 34-38.

Në fraksionin e tretë ishte një përpjekje e Bashkimit që arriti të kalonte edhe në epërsi dhe kjo periudhë përfundoi me rezultat 55-54.

Lufta e ngushtë e të dyja ekipeve vazhdoi edhe në çerekun e fundit, në të cilin u vendos fituesi. Diferenca ishte e ngushtë, ndërsa rezultati u barazua në disa raste.

Dhe në fund fitues i Kupës së Kosovës për këtë edicion u shpall Bashkimi/Sigal Prishtina që e mposhti Bashkimin/Sigal Prishtinën me rezultat 74-77.

Kujtojmë se Sigal Prishtina ishte kampion në fuqi i kësaj gare, pasi ishte fitues i Kupës së Kosovës edhe nga edicioni i kaluar.

Kryeqytetasit janë stolisur tashmë 13 herë me këtë trofe (prej vitit 1991 e deri më 2018), ndërsa ekipi nga Prizreni e ka fituar vetëm një herë Kupën e Kosovës në basketboll.

Theksojmë se këtë edicion për herë të parë është zhvilluar ‘Final 8’ i Kupës së Kosovës me këtë format (në periudhën 28 shkurt – 4 mars) në palestrën “13 Qershori” në Suharekë.

Final 8 më parë është organizuar në Gjakovë në vitin 2014, por jo në këtë format.

Këtë edicion, organizator i ‘Final 8’ të Kupës së Kosovës është Golden Eagle Ylli.