Si e turpëruan në Greqi, Mërgim Mavraj tregon arsyet e largimit

Mbrojtësi i Kombëtares, Mërgim Mavraj, i dha fund aventurës në futbollin grek pas vetëm disa muajsh.

32-vjeçari e mbylli me Arisin e Selanikut dhe tashmë do të nisë një aventurë të re me Inglostadin në Ligën e Dytë gjermane. Ai do të nënshkruajë me skuadrën e re për 1 vit e gjysmë, por me opsion për edhe një tjetër vit.

300 mijë euro ka paguar klubi gjerman për shërbimet e Mavrajt. Në një prononcim për “Telsport”, kapiteni i Kombëtares ka zbuluar edhe motivin e “divorcit” me verdhezinjtë.

“Anulova kontratën me Aris dhe do të firmos me skuadrën e Ingolstad, në Gjermani. Do të bashkohem me klubin në Spanjë më pas për fazën përgatitore. Arsyeja pse largohem është sepse e kam ndjerë veten shumë të mosrespektuar. U folën shumë gjëra, por asnjëherë për futboll dhe për mua si futbollist. U fol për gjëra që nuk kanë të bëjnë me futbollin dhe paraqitjet në fushë, por thashetheme.

Më rënduan si profesionist dhe si lojtar, pasi kur vendosa të transferohem në Greqi e bëra për të ndihmuar një klub që besoi te unë. Të gjitha më pas e vështirësuan situatën. U ballafaqova me gjëra jo serioze. Mungoi mirësjellja edhe kundrejt punës time. Këto janë shkaqet që nuk më lejuan të jap më të mirën”, ka thënë Mavraj, transmeton Gazeta Olle.

Ai shton: “Nuk mund të them se janë të pakënaqur për mua, pasi më kanë vlerësuar, por rryma të ndryshme kanë ndikuar. Këto gjëra, si futbollist, nuk i pranoj dot. Të prishet emri dhe vlerat e mia si lojtar. Nuk i shes dhe nuk i ndërroj vlerat për askënd. Nuk është komunikuar asnjëherë nga klubi që do të më largojnë. Kjo është një arsye e madhe që u mërzita, pasi gazetat e morën vesh përpara të gjithëve. Madje, në një bisedë që kam pasur me trajnerin më tha se më shpejt iki unë se sa ti si lojtar, por në anën tjetër luhej pas krahëve. U mërzita shumë që emri im u bë si një lodër edhe në media… Këtu lindi ideja për t’u larguar dhe erdhi oferta nga Gjermania”, u shpreh Mavraj për “Telesport”.