Si do të ndahen milionat shtesë të MKRS për sportin?

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të themelojë grupin e punës për ndërtimin Planit Emergjent për Kulturë, Rini dhe Sport, i cili përfshin masat e nevojshme për të ndihmuar dhe mbështetur sektorët që i mbulon MKRS-ja, për ballafaqim me vështirësitë e krijuara nga efekti i pandemisë globale COVID-19.

Fokusi i punës së këtij grupi do jetë ngritja e programeve të reja për subvencionim të krijuesve, të rinjve dhe sportistëve individualë si dhe OJQ-ve dhe bizneseve në këta sektorë të cilat kanë nevojë për mbështetje, me qëllim të vijimësisë së punës.

Grupi i punës do i propozojë ministrit kriteret e reja për përfitim të fondeve konform pakos emergjente pas Masave të Qeverisë së Republikës së Kosovës që kanë goditur rëndë edhe aktivitetet sportive, kulturore dhe artistike.

Sipas pakos, për të ndihmuar këto kategori, do të rritet për 5 milionë euro buxheti i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, shumë kjo që do të përdoret për subvencionim shtesë të shoqatave sportive e kulturore të vendit.

Por si do të ndahen këto para për sportin. Sot disa klube të futbollit kanë kërkuar që Qeveria të përkrah edhe klubet.

“Të hënën do të dalim me një deklaratë për media”, ka thënë drejtori i Departamentit të Sportit në MKRS, Ibër Alaj për Gazetën Olle.

Pra, me caktimin e grantit prej 5 milion euro dedikuar për MKRS-në, ministrja Dumoshi menjëherë ka ndërmarrë veprimet e duhura për themelimin e grupit punues për të ndihmuar sektorët e kulturës, rinisë, sportit e trashëgimisë.

Ministrja Dumoshi tha dje se është obligim i yni që t’u gjendemi pranë organizatave kulturore, rinore e sportive në këtë kohë të vështirë.