Shumë skuadra të mëdha pas Januzajt: Edhe Milani më ka thirrur

Para se kampionati spanjoll të ndërpritej për shkak të koronavirusit, Adnan Januzaj riktheu pozitën e tij te Real Sociedadi.

Por në janar, reprezentuesi i Belgjikës ishte pranë largimit nga Sociedadi. Për të ishin interesuar klube të mëdha italiane. Roma sidomos e kishte kërkuar gjatë atë.

“Është e vërtetë që ka pasur shumë interesim. Dhe jo nga klube të vogla. Edhe Milani ka thirrur. Menaxheri im mund të flas më së miri për këto gjëra. Nuk jam bërë futbollist për të negociuar me ekipet tjera. Në atë kohë ishte e vështirë të mbetem i fokusuar. Nuk isha komod dhe nuk isha i gatshëm të bëjë dallimin në fushë”,ka thënë Januzaj për Het Laatste Nieuws.

Ai ka thënë se tani është i fokusuar dhe i gatshëm të jap më të mirën për skuadrën, kur ndeshjet të nisin.

“Nuk isha i dëshpëruar që transferimi nuk u realizua. Isha edhe më i qetë. Ende shijoj kohën këtu”, ka theksuar Januzaj.

Ai do të jetë i angazhuar në fundjavë. Do të garojë në një turne të “FIFA 20” ku do të prezantojë Real Sociedadin.Në këtë garë do të marrin pjesë të gjitha skuadrat e La Ligas me nga një përfaqësueses. Të hyrat do të ndahen për bamirësi.