Shtatë Lidhjet Rajonale mbështetin kryetarin Agim Ademi

Shtatë Lidhjet Rajonale të futbollit vendor kanë dalë me një reagim zyrtar duke mbështetur kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës pas zhvillimeve të fundit.

Lidhjet Rajonale kanë dërguar një reagim në adresë të Gazetës Olle, të cilën ua përcjellim më poshtë:

“Shtatë Lidhjet Rajonale të Futbollit pas komunikimit të vazhdueshëm ndërmjet veti kanë marrë vendim që të dalin në përkrahje të hapur ndaj presidentit Agim Ademi, i cili po sulmohet padrejtësisht me trillime të llojllojshme nga njerëz që kanë për synim ta destabilizojnë futbollin e Kosovës dhe ta kapin njërin prej institucioneve më kredibile dhe që po na bën krenar me sukseset e arritura në arenën ndërkombëtare.

Lidhjet Rajonale të Futbollit rikonfirmojmë edhe njëherë tjetër mbështetjen e fuqishme për presidentin Agim Ademi dhe do t’i qëndrojnë afër deri në përfundim të betejës së tij për ta zbardhur drejtësinë.

Prandaj, si LRF i japim përkrahjen e parezervë presidentit Agim Ademi dhe së bashku do të vazhdojmë punën në realizimin e objektivave të FFK-së. Afrim Haliti – Kryetar i LRFF-së”, thuhet në njoftim. /Gazeta Olle/