Shtatë futbollistët e Superligës, mbyllen në karantinë në Qendrën e Studentëve!

Kampionati kosovar i futbollit vazhdon të jetë në pritje të një përgjigjje nga Ministra e Shëndetësisë, nëse edicioni 2019/20 do të vazhdojë, apo do të përfundojë.

Pothuajse gjitha klubet në vend kanë shprehur dëshirën që kampionati të rifillojë sërish, ndërkohë që atyre u është kërkuar nga Federata e Futbollit e Kosovës ta bëjnë me shkrim një gjë të tillë.

Te Gjilani po besojnë shumë që kampionati do të rifillojë, madje në Kosovë janë futur gjatë ditës së premte edhe shtatë futbollistë, të cilët janë karantinuar menjëherë në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, raporton Gazeta Sheshi.

Por, futbollistët gjilanas nuk pritet të qëndrojnë gjatë në karantinë, pasi që i pari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, që ka thënë se ata do të vendosen në karantinën e klubit.

Haziri beson se gjatë ditës së sotme do të gjendet zgjidhja.

“Nuk ka logjikë që lojtarët do të vendosen në karantinë sportive sipas rregullave të UEFA-s për fillimin e kampionatit, që janë të ashpra të mbahen në qendra kolektive të karantinimit dhe t’i krijojnë probleme sektorit të madh të sportit, i cili po pritet të normalizohet gjatë kësaj faze menaxhimit të pandemisë”, ka thënë Lutfi Haziri, kryetar i Gjilanit.

Ai ka kërkuar të mos dilet pa arsye dhe pa nevojë, sepse kanë mbetur edhe pak ditë deri në kthimin e normalitetit.

Këtë të diel (17 maj) pritet të ketë një përgjigjje përfundimtare nga Ministria e Shëndetësisë.

Shanset për të rifilluar kampionati janë reale parë dhe disponimin e Federatës së Futbollit të Kosovës edhe klubeve futbollistike.