Shqiptarin e largojnë nga skuadra pasi humbi penalltinë

Gjelbrim Taipi, mesfushori që ka provuar të luajë edhe me Shpresat e Shqipërisë, është larguar nga Vili, e cila nuk e përfshiu për katër muaj në skuadër shqiptarin.

Për “Sport Ekspres” ai ka treguar situatën e tij dhe arsyen e “persekutimit” nga klubi, por tani është më i qetë dhe pret të zyrtarizojë ekipin e ri.

Gjelbrim, më në fund jeni lojtar i lirë. Duket se ky është një çlirim për ju…

Po, siç e keni parë edhe ju, nga dita e djeshme jam lojtar i lirë edhe tanimë normalisht po ndihem shumë mirë, sepse ka qenë një peng për mua të mos luaj në fundjavë për arsye të kota.

Çfarë po ndodhte realisht te Vili? Cila ishte arsyeja që u latë jashtë ekipit?

Arsyeja se pse u lash jashtë ekipit ishte shumë e thjeshtë: sepse në ndeshjen ndaj Ksamaksit në minutën e 86-të kam humbur penalltinë dhe kjo ka qenë e gjitha. Pastaj kanë filluar problemet dhe nuk ka marr pjesë në ndeshje, jam lënë jashtë 18-shes deri në këtë momente, kur edhe shkëputa përfundimisht kontratën.

Siç e keni shprehur edhe në faqen tuaj zyrtare, kanë qenë muaj të këqij për ju. Si ia keni dalë ta përballoni situatën me të cilën u ndeshët?

Normal që për mua ka qenë shumë e vështirë, sepse ishte momenti për të bërë një hap përpara dhe në atë periudhë unë isha i detyruar vetëm të stërvitem, duke shkuar dëm 4 muaj.

Ekziston mundësia të riktheheni te Shkëndija e Tetovës? Po Superioren shqiptare, e shihni si një mundësi për të ardhmen?

Kam oferta, por tani do t’i shqyrtoj ato këto ditë, kur edhe do të  bëhem me skuadër të re. Nuk mendoj njëherë të kthehem atje, pasi e shoh veten këtu në Zvicër, pasi jam përshtatur mirë me jetën.

Loading...