Shqipëria ose Kosova

Eros Grezda po shkëlqen në futbollin kroat, ku ka realizuar katër gola me Lokomotivën. Si rezultat, mesfushorin kosovar po e kërkon Përfaqësuesja e Maqedonisë. Por, talenti 20-vjeçar, i cili ka rënë në sy të shumë skautëve, dëshiron të luajë për Shqipërinë ose Kosovën

Eros Grezda është ylli më i ri i futbollit kroat. Mesfushori ofanziv kosovar ka realizuar katër gola dhe ka dhuruar dy asistime në fanellën e klubit Lokomotiva, me të cilin verën që shkoi nënshkroi kontratë katërvjeçare. Gjakovari i rritur në Prishtinë, qe pesë vjet luan në ligat e ndryshme evropiane. Ai fillimisht, nga të rinjtë e Prishtinës kishte shkuar për të luajtur në Maqedoni, në Rabotniçki, ku ishte pjesë e ekipit të parë si 15-vjeçar. Pastaj e përcollën skautët dhe kishte shkuar në Dinamo Zagreb, ku qëndroi një vit. Në vazhdim iu bashkua Grazit në Austri, e pasi ky klub falimentoi, trajneri i tij e mori me vete në Slloveni, ku ka luajtur me ekipet Alumin dhe Zavrç, prej nga kaloi edhe te Lokomotiva.

E paraqitjet impresionuese me këtë të fundit, bënë që 20-vjeçari t’u binte në sy, krahas skautëve të klubeve, edhe drejtuesve të futbollit maqedonas. Mirëpo, Erosi më me qejf do ta përfaqësonte njërin prej dy shteteve shqiptare.

“Më ka kontaktuar selektori i Përfaqësueses A të Maqedonisë, por mundësitë janë të hapura. Më me dëshirë do të luaja për Shqipërinë ose Kosovën, nuk e kam problem se cilën”, deklaroi fillimisht Grezda për “Zërin”.

Para disa ditëve, ish-futbollisti i famshëm kosovar, i cili pati luajtur për Kroacinë, Ardian Kozniku, i pati bërë thirrje Shqipërisë dhe Kosovës të jenë të kujdesshme karshi Erosit. “Po t’i bashkohet Maqedonisë, do të ishte mëkat për ne shqiptarët, sidomos për Shqipërinë që është e pranuar në garat ndërkombëtare. Erosi mund të marrë një vendim të tillë për të luajtur për Maqedoninë, pasi mund të zhgënjehet kur vazhdimisht anashkalohet nga vendi i tij”, kishte deklaruar trajneri, Ardian Kozniku.

Ka oferta, por mendon për të tashmen

Grezda është në dijeni se e përcjellin në vazhdimësi skautët, por tash për tash nuk po mendon shumë për këtë punë. Ai synon të zhvillohet dhe të bëjë përvojë sa më shumë në klubin aktual, për të menduar më pas për hapin tjetër të karrierës. “Unë kam vetëbesim dhe e kam ditur se do të vjen momenti im. Do të mundohem të shfaqi lojëra të mira dhe të piqem si lojtar. Edhe pse menaxheri më ka treguar se jam në vëzhgim të skautëve, unë mendoj se e rëndësishme është të formohem si lojtar te Lokomotiva, ku jam duke kaluar mjaft mirë, jam shumë i kënaqur. Dua të punoj këtu dhe të bëhem gati për sfidat tjera, por s’dua të ngutem”, shpjegon Erosi. “Krejt lojtarët e Lokomotivës e kanë ëndërr të luajnë në Dinamo Zagreb. Por, unë do të punoj sa më shumë dhe ta tregoj veten te Lokomotiva, duke realizuar gola dhe duke dhuruar asistime”, përfundoi Grezda.