Shqipëria nuk gabon ndaj Moldavisë: Ylber Ramadani shënon në fitoren e parë të Rejas

Shqipëria ka marrë një fitore të vuajtur ndaj një kundërshtari modest si Moldavia me rezultatin 2-0.

Sokol Cikalleshi na shpëton nderin në minutën e 66′ pas një aksioni të mirë me Uzunin dhe Roshin. Goli i dytë u shënua nga Ylber Ramadani me një goditje të bukur nga jashtëzone. Një sfidë që vë në pah dhe njëherë problemet e shumta që kemi si skuadër.

Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 0-0. 45 minutat e para nuk dhuruan shumë, pak raste për tanët. Hysaj humbi një rast ideal në minutën e 4′, pasi nuk devijoi një top vetëm pak metra larg portës së mbrojtur nga portieri kundërshtar.

Sadiku në minutën e 23′ lëshoi një goditje nga jashtëzone, por që gjeti reagimin e mirë të Koselev. Lenjani nuk e devijoi në rrjetë. Në fundin e pjesës së parë pretenduam për penallti në minutën e 30′, por për gjyqtarin kryesor nuk ishte prekje e topit me dorë. Pjesa e parë mbyllet 0-0 dhe na shfaq sërish një ekip të brishtë.

Në pjesën e dytë e nisim me një tjetër vrull dhe arrijmë të zhbllokojmë rezultatin vetëm në minutën e 66′. Një aksion i mirë i Uzunit që pason për Roshin. “Raketa kuqezi” e fut për Cikalleshin dhe arrin ta dërgojë për 1-0. Kur mendohej se gjithçka do të mbyllej me rezultatin 1-0, Ylber Ramadani shënoi për 2-0 me një goditje nga jashtëzone.

Shqipëria ndodhet në vendin e katërt me 6 pikë, pasi ka fituar ndaj Andorrës dhe Moldavisë. Franca fitoi 4-0 ndaj Andorrës, ndërsa Islanda fitoi 2-1 ndaj Turqisë.