Shqipëria, miqësore luksi me Gjermaninë

Kombëtarja shqiptare do të luajë një miqësore me Gjermaninë para Europianit “Francë 2016”.

Kjo deklaratë e bujshme është dhënë nga trajneri i Shqipërisë, Gianni De Biasi, i cili gjatë një interviste për “Nuova Venezia” ka pohuar se, sfida ndaj kampionëve të botës do të jetë një test i vërtetë për ne, përpara fazës finale të këtij aktiviteti.

Ky lajm del nga goja e trajnerit të Kombëtares shqiptare dhe publikohet në mediat italiane, ndërkohë që nga Federata Shqiptare e Futbollit askush nuk thotë asgjë për këtë miqësore luksi. Por, pak kohë më parë, mediat turke publikuan një deklaratë të trajnerit Fatih Terim, ku lajmëronte se për shkak të përfitimeve të mëdha nga të drejtat televizive, kombëtaret e Gjermanisë, Italisë, Francës, Anglisë, Holandës dhe Spanjës kanë vendosur të zhvillojnë vetëm me njëra-tjetrën ndeshje miqësore.

Gjithsesi, nëse fjala e De Biasit do të dalë e vërtetë, atëherë do të jetë hera e parë, që Kombëtarja kuqezi do të zhvillojë një ndeshje miqësore me gjigantët e Europës, pasi përballjet e mëparshme kundër tyre kanë qenë të vlefshme për kualifikueset e europianëve ose të botërorëve, raporton TCh.

Në ndeshjet “kokë më kokë”, sigurisht bilanci anon nga ana e Gjermanisë, e cila ka fituar 15 herë, ndërkohë që Shqipëria ka arritur t’i marrë vetëm 2 barazime, një në vitin 1958 dhe një në 1967-n. Majin e vitit të shkuar, në “Elbasan Arena” u zhvillua një ndeshje miqësore mes veteranëve shqiptarë dhe atyre gjermanë.