Shqipëri – Serbi, luhet në Austri

Një mundësi e re që shqiptarët të fitojnë kundër një ekipi serb, do të jetë më 21 shkurt në Vjenë, Austri.

Ekipet “SV Albania” dhe “SC Kaiserebersdorf –Serbia” të cilat luajnë në kategorinë e dytë të Landit të Vjenës në Austri do të ballafaqohen mes vete këtë të shtune.

Kjo ndeshje ishte planifikuar të luhej në nëntor të vitit të kaluar, por për shkaqe sigurie dhe për t`i ulur tensionet të cilat ndodhën gjatë ndeshjes së kombëtareve Serbi -Shqipëri në Beograd, u shty për në shkurt, transmeton albinfo.

Ndeshja e cila do të fillojë nga ora 14:30, po pritet më shumë interesim në Austri.

Kapiteni i skuadres “SV Albania” Zemri Deari thotë për “albinfo.ch” se atmosfera brenda ekipit është shumë e mirë.

“Ne njihemi me njëri tjetrin që një kohë të gjatë si brenda fushës ashtu edhe jashtë saj, jemi si një familje. Ne jemi të përgatitur për të fituar jo vetëm këtë ndeshje por secilën ndeshje të kampionatit”, thotë ai duke treguar se ekipi shqiptar vazhdon të jetë lider i tabelës të kësaj lige”, tha Deari.