Shpresat për Trepçën

Superliga e Kosovës në basketboll po përjeton njërin nga edicionet më të dobëta në vitet e fundit. Kjo për shkak të krizës të klubeve të mëdha si Peja dhe Trepça.

Derisa e para është zhytur në krizë edhe më të thellë, kjo e fundit ka filluar të ringjallet. Trepça ka kthyer vendorët e saj: Samir Zekiqi, Besnik Azemi, Imer Tahiri dhe Arian Tahiri, kurse pritet të arrijë edhe amerikani Jordan Reed.

Me këto lëvizje sigurisht se në stinorin pranveror pritet një Trepçë më e fortë dhe që të luftojë për garat përfundimtare.

Të menaxhohet mirë situata

 Trajneri i basketbollit, Blerim Krasniqi, beson se Trepça në pranverë do të jetë më e fortë se në vjeshtë, derisa thekson se lojtarët vendorë janë shumë të rëndësishëm.

“Si duket është bërë një sindromë tek ne, që klubet pa qenë para kolapsit nuk po dinë t’i menaxhojnë mjetet. Nëse Trepça arrin që t’i mbaj lojtarët vendorë dhe trajnerin vendor do të dominoj në basketbollin e Kosovës me vite të tëra. Mirëpo, edhe atje ka qenë sindroma e të huajve dhe janë anashkaluar në tërësi lojtarët vendorë, po ashtu edhe trajneri dhe ishim dëshmitarë se në çfarë gjendje erdh skuadra, pra ishte para kolapsit. Tani mua më duket një situatë tjetër, një situatë më shpresuese. Trepça ka kthyer lojtarët që i ka shpërndarë nëpër klubet tjera. Nëse menaxhohet mirë, unë shpresoj se do të jetë krejtësisht një Trepçë tjetër në stinorin pranveror të Superligës dhe shumë më konkurruese se që ka qenë në vjeshtë”, është shprehur Blerim Krasniqi për gazetën “Kosova Sot”.

besnik_azemi_kbtrepca_dec2016_umbrella

 

Trepça në pesë vjetët e fundit është përballur me shumë probleme, derisa edhe edicionin e kaluar lojtarët ishin shumë të pakë- naqur, pasi nuk ishin paguar, duke hyrë edhe në bojkot. Për këtë edicion ishin në dyshim nëse do të vazhdojnë garat, megjithatë, e nisën me lojtarë të ri për të mos u tërhequr nga garat. Në vjeshtë, mitrovicasit kishin pesë fitore dhe nëntë humbje, duke u renditur në vendin e pestë me 19 pikë.

Ndryshime edhe në skuadrat e tjera

 Por, përveç Trepçës, ndryshime ka pasur edhe te skuadra tjera, e njëra ndër to ishte edhe Golden Eagle Ylli.

“Për situatën te Ylli kam informata dhe po organizohen dhe kjo është shumë e rëndësishme. Megjithatë, Më shumë po flitet për lojtarët sesa për trajnerin. Kjo për mua është e pakuptimtë, pasi fillimisht duhet të zgjidhet çështja e trajnerit dhe më pas e lojtarëve, pasi trajneri duhet të zgjedh ekipin dhe me çfarë lojtarësh të formojë skuadrën për stinorin pranveror”.

trepca

 

“Megjithatë, dëshira e donatorëve dhe stafit të ekipit është për t’u përshëndetur dhe kjo është shumë e rëndësishme për momentin për basketbollin e Kosovës, duke marrë parasysh krizën me të cilën po ballafaqohet tani. Gjithashtu edhe Theranda ka traditë dhe qytetarët e duan basketbollin dhe meritojnë një klub të organizuar mirë, dhe pse jo edhe të luftoj edhe për titull”, ka shtuar tutje Blerim Krasniqi për gazetën “Kosova Sot”.

Gjithashtu edhe Rahoveci ka bërë ndryshime duke marrë trajner Bujar Locin, dhe disa përforcime, ku në pranverë pritet të jetë mjaft interesant.

Trepca