Shpërthen Zabërgja, flet për kurdisjen e ndeshjeve

Hajvalia e Trepça janë dy skuadrat, që, sipas të gjitha gjasave, direkt do të largohet nga liga.

Derisa Hajvalia ishte e qartë se do të bjerë për shkak të krizës financiare që e kaploi, kjo e dyta ishte e pafat, madje futbollistët e skuadrës mitrovicasve, janë të bindur se skuadra e tyre është viktimë e parregullsive, që ndodhin në futbollin tonë.

“Jemi skuadra më e dëmtuar dhe të jeni të bindur se po t’i kishim pikët nga ndeshjet që jemi dëmtuar, ne nuk do të ishim as në barazh e lëre më në këtë pozitë. Në shumë ndeshje jemi dëmtuar direkt në rezultat, sikur të ishte e programuar që Trepça të bjerë nga Liga”, ka thënë sulmuesi me përvojë, Enis Zabërgja, sipas të cilit këto gjashtë ndeshjet e mbetura mund të sjellin shumëçka duke mos përjashtuar as manipulimet.

“Sa i përket mundësisë së manipulimeve, janë organet kompetente që i shikojnë ato. Unë besoj që ato do të marrin masa edhe mos të vijë puna deri aty. Shpresoj të mos dëmtohet asnjë skuadër tjetër. Gjithsesi, kah fundi i garave, gjithmonë është rrezik të ketë ndonjë manipulim. Kjo po ndodh edhe në kampionatet evropiane, por nëse vërtetohen duhet të dënohen ashpër. Tash nuk ka lëshime, pasi jemi në vëzhgim të FIFA-s e UEFA-s dhe mos të dërgojmë imazhe të këqija atje”, ka thënë Enis Zabërgja.