‘Shpërthen’ Xhavit Kajtazi

Kosova ka pasur shumë suksese në arenën ndërkombëtare në sportet individuale, por edhe në sportet kolektive.

Përkundër se në vitet e fundit kanë munguar sukseset në sportet kolektive, Kosova ka traditë në këto sporte, por nevojiten investime, dhe përkrahje, për t’iu kthyer sukseseve të dikurshme.

Gjithashtu nevojiten edhe plane afatgjate dhe afatshkurtra, në mënyrë që të krenohemi me këto sporte, siç krenohemi me xhudisten Majlinda Kelmendin.

Nuk kishte përkrahje

Trajneri i volejbollit, Xhavit Kajtazi, shprehet se Kosova nuk ka prirje vetëm në sportet individuale, por edhe në ato ekipore.

“Sportit të Kosovës thuajse përjetësisht, si saç mbi kokë i ka qëndruar i ashtuquajturi konstatim se prirjet tona anojnë më shumë drejt sporteve vetjake (lexo luftarake) dhe më pak drejt atyre grupore.

Kjo i bie se ne sikur kemi prirje vetëm për boks, karate, mundje, xhudo, atletikë, not e ndonjë sport tjetër të kësaj fushe, ndërkohë që futbolli, basketbolli, hendbolli, volejbolli e ndonjë sport tjetër i kësaj fushe nuk na shkojnë dhe jemi pa rezultate qoftë në rrafshin vendor, qoftë në atë ndërkombëtar.

Për fat të keq tonin, ky vlerësim i imponuar dhe gjithnjë i financuar nga qarqe më shumë politike sesa sportive, ka vazhduar përpjekjet që të lëshojë rrënjë, pa marrë parasysh se kemi këmbëngulur të vërtetojmë të kundërtën dhe u penguam.
Nuk gëzuam përkrahje as financiare, por as profesionale.

Kjo pjesë e historisë së sportit të Kosovës është jashtëzakonisht e rëndë.

Në Kosovë për afro tetëdhjetë vjet pareshtur është zhvilluar sporti sipas përqindjes, që në praktikë do të thoshte se shqiptarët, pavarësisht popullatës shumicë (mbi nëntëdhjetë për qind), kanë pasur të drejtë të përfshihen në cilindo sport me vetëm pesë apo dhjetë për qind! Ky diskriminim, ka ndodhur sidomos në sportet grupore, dhe shumë më herët edhe në ato vetjake.

Ky diskriminim i hapur kapitulloi fal ndërgjegjësimit tonë dhe këmbëngulësisë që të dëshmohet e kundërta e asaj që imponohej për shumë kohë”, ka thënë Xhavit Kajtazi për gazetën “Kosova Sot”.

Sportet grupore kanë një kosto shumë të madhe

Tutje, Kajtazi ka shtuar se në të kaluarën ka pasur suksese në sportet ekipore dhe Kosova ka traditë në këto sporte.
“Futbollistët e Prishtinës dhe të Trepçës së Mitrovicës, Liria e Prizrenit, Vëllaznimi i Gjakovës dhe skuadra të tjera, arritën majat. Po ashtu, edhe basketbolli me vashat e Universitetit dhe çunat e Prishtinës, Pejës, Trepçës së Mitrovicës, Bashkimit të Prizrenit, hendbolli me Borcin e Ferizajt, Trepçën e Mitrovicës, Vëllaznimin e Gjakovës, Bozhurin e Gjilanit, Kosovën e Vushtrrisë, volejbolli me Elektroekonominë e Obiliqit, pingpongu me Prishtinën e disa sporte të tjera, e bënë piskamë kudo që u paraqitën, qoftë në arenën vendore, qoftë në atë ndërkombëtare.

Janë bërë përpjekje që sporti të zhvishet nga ndikimet politike, që fund e krye ishin diskriminuese.

Në shekullin e ri, shtrohet domosdoja e tejkalimit dhe përgënjeshtrimit të pikëpamjeve e gabuara që i janë veshur sportit të Kosovës dhe me përkushtim të provohet se edhe sportet grupore na flenë në zemër dhe me të drejtë po presim që kjo të ndodhë relativisht shpejtë.

Majlinda Kelmendi me shoqet e saj, si dikur boksierët dhe mundësit fitoi gjithçka që është e mundur dhe është krenaria e sportit të Kosovës dhe jo vetëm.

Ndërkaq, sportet grupore kanë një kosto shumë të madhe dhe për të shënuar suksese janë të domosdoshme investimet jo vetëm materiale, por edhe infrastrukturore dhe profesionale.

Kosovës i duhen projekte afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjate, që hap pas hapi të paraqitemi në konkurrencën ndërkombëtare.

Si një shtet i dalë nga lufta e tmerrshme, kemi mundësi të mira që t’i ofrojë botës sportive edhe shumë kampionë të tjerë si Majlinda… E vlen të provohet. Jam i bindur se nuk do të zhgënjehemi. Përkundrazi. Do të jemi krenarë…”, përfundoi Xhavit Kajtazi për gazetën “Kosova Sot”.

received_10156204520273641