‘Shpërthen’ Shengyli: Më shkarkoi Erxhan Dana dhe arsyetimet false të tyre

Liria befasoi sot, duke shkarkuar trajnerin e saj, Skënder Shengyli, me të cilin u rikthyen në Superligën e Kosovës. Trajneri prizrenas ka mbetur i befasuar me vendimin e kryesisë, derisa gishtin kryesor e hedh tek drejtori i klubit, Erxhan Dana.

Edhe pse Liria nuk ka zbuluar arsyet e shkarkimit të Shengylit, ende pa filluar kampionati i Superligës, trajneri i mirënjohur tregon ekskluzivisht për GazetaOlle.com se çfarë i thanë ata.

Më thanë se më kanë shkarkuar që nuk e kam licencën. Në fakt, ne për këtë punë kemi biseduar menjëherë pas kampionatit të Ligës së Parë. Ju kam thënë që nëse doni të vazhdoni me mua, mund ta marrim një trajner me licencë A sa për të qëndruar në bankinë, ashtu siç bënte Hajvalia edicionin e kaluar, derisa unë të pajisem me licencë”, rrëfen Shengyli për GazetaOlle.com.

Pra, ky arsyetim nuk qëndron fare. Krejt kjo është bërë nga drejtori Erxhan Dana. Ai që prej se e ka lënë futbollin kurrë nuk ka shkelur më në stadium, madje nuk jep asnjë para për klubin, tani ka ardhur të përfitojë me që jemi në prag të pranimit”, akuzon Shengyli.

Ai zbulon edhe marrëdhëniet jo të mira me Danën dhe disa të tjerë, për të cilët tha se tentuan t’i përzihen në punë.

Kryesia e klubit e ka formuar një komision para dy muajsh i cili do të merrej me përforcimet dhe njëkohësisht është bërë e ditur se gjithçka do të shkojë në bashkëpunim me mua. Mirëpo, për dy muaj unë asnjëherë nuk jam kontaktuar nga ky komision për asnjë lojtarë. Ata kanë sjellur përforcimet që kanë dashur vetë, me të cilat unë nuk jam pajtuar. Pra atyre nuk ju konvenoi korrektësia ime dhe më larguan me arsyetimin se nuk kam licencë”, thekson ish-trajneri i Prishtinës, Vëllaznimit e Ballkanit. /Gazeta Olle/