Shotani: Dritën e mposhtëm me formacion të improvizuar pa Januzin, vazhdojmë luftën për kreun

Trajneri i Llapit, Bekim Shotani, u shpreh shumë i lumtur me fitoren ndaj Dritës.

Ai është shumë optimist se Llapi mund të luftojë për kreun.

“E kemi ditur që do kemi një ndeshje të vështirë, pasi që luajtëm përballë kampionit në fuqi, një skuadre që ka në organikën e vet një grup mjaft të mirë të lojtarëve. Por, ne kishim marrë gjitha masat e duhura, duke neutralizuar pikat ku kundërshtari ynë është më i fortë. Nuk lejuam që të na ndodh si në ndeshjen e kaluar ndaj Ballkanit kur sulmuam vazhdimisht dhe pranuam një gol në kundërzbritje”, deklaroi Shotani pas ndeshjes për Supersport.

Ai gjithashtu paralajmëroi edhe skuadrat nga kreu i tabelës se ekipi tij do të qëndroj prapa tyre dhe do të pres çdo gabim eventual të tyre.

“Djemtë e dhanë provimin përballë Dritës, do të mundohemi të qëndrojmë në mesin e skuadrave pretendente për titullin kampion. Kemi mungesa të rëndësishme në përbërje si ajo e sulmuesit Ahmed Januzi, ndaj edhe po mundohemi të improvizojmë në formacionin e lojës. Por, pavarësisht gjitha peripecive ne do të vazhdojmë luftën dhe nuk do të lëshojmë pe në asnjë ndeshje”, mbylli Shotani.