Shkodra paralajmëron Flamurtarin

Futbollistët e Flamurtarit edhe dje kanë pritur pagat. Por, pavarësisht se administratori Sinan Idrizi ditët e fundit u ka premtuar lojtarëve se do të shpërndajë pesë rroga njëherësh, as gjatë së enjtes nuk ka pasur zhvillime.

“Sapo të kthehem nga Turqia do t’u shpërndaj pagat. Por më kuptoni, jemi në një situatë të vështirë, ku po na heqin pikët, në një kohë që unë njoh detyrimet në shtet”, u ka thënë Idrizi lojtarëve. Gjithsesi, nëse çështja e pagave nuk zgjidhet këtë javë, pritet të ketë eksod lojtarësh.

Pas largimit të Tomislav Bushiç, “Panorama Sport” zbulon se më 1 dhjetor lojtari i radhës që do të largohet është Donjet Shkodra. Mesfushori kosovar ka lajmëruar zyrtarisht klubin se e pret deri në këtë datë për pagat e padhëna, në të kundërt do të largohet dhe do ta padisë në FSHF ose në FIFA. Lojtarët janë indinjuar me këtë situatë, ku çdo ditë marrin premtime.