Shkëndijës i largohet super transferimi

Mohmmadou Idrissou nuk është më një lojtar i Shkëndijës. Sulmuesi kamerunas ka prishur me konsensus kontratën që kishte nënshkruar 6 muaj më parë dhe që e lidhte atë me klubin tetovar deri në muajin Dhjetor të këtij viti. Në këtë mënyrë sezonin e ardhshëm 35-vjecari nuk do të jetë më pjesë e kuqezinjëve. Lajmi u publikua nga klubi i Shkëndijës në faqen e tij zyrtare në internet. Në komunikatën e skuadrës tetovare thuhet se Idrissou pasi ka biseduar me drejtuesit ka rënë dakort për t’u larguar nga Shkëndija, sepse klubi sezonin e ardhshëm do të besojë më shumë te lojtarët e rinj në moshë.

Idrissou u transferua te Shkëndija me shumë bujë në Janar të 2015-s madje u cilësua nga të gjitha si futbollisti më i famshëm që ishte bërë pjesë e kampionatit maqedonas. Por aventura e Idrissout te Shkëndija nuk shkoi ashtu sic parashikohej pasi 35-vjecari nuk bindi asnjëherë me formën e tij duke mos lënë asnjë shenjë. Klubi tetovar në komunikatën e tij i ka shprehur gjithashtu mirënjohjen sulmuesit kamerunas si dhe e ka falenderuar atë për bashkëpunimin. Ish lojtari i Freiburg dhe Borussia Moenchengladbach zhvilloi në total 5 ndeshje me Shkëndijën në kampionatin madedonas gjatë të cilave nuk shënoi asnjë gol.