Shkëndija rikthen në skuadër lojtarin që e huazoi tek Llapi

Ende pa u hapur merkatoja verore, Shkëndija rradhët e veta do të pasurojë edhe me një sulmues në prag të ndeshjeve eliminatore të Ligës së Kampionëve Europian, njofton “infOSport.mk”.

Remzifaik Selmani është futbollisti që do të rikthehet në mesin e “kuqezinjëve” pas aventurës 6 mujore te skuadra e Llapit në Superligën e Kosovës, duke shtuar numrin e futbollistëve të repartit të sulmit, tashmë në 9, gjithmonë nëse pjesë e sulmit llogarisim edhe Agim Ibraimin dhe Izair Eminin.

Kësisoj përveç  treshes Selmani-Ibraimi-Emini,  trajneri Qatip Osmani do të ketë në disponim edhe bomberin kryesor Besart Ibraimi, që pritet të jetë i gatshëm për ndeshjet europiane, pastaj reprezentuesin e shpresave të Shqipërisë, Shefit Shefitin, Valmir Nafiun, Marjan Radeskin, Samir Fazliun dhe Jakup Berishën, raporton Gazeta Olle.

Rikujtojmë Selmani te Shkëndija erdhi verën e vitit të kaluar nga rradhët e skuadrës hungareze të Ujpeshtit, ndërsa kontrata e tij aktuale me kampionët e vendit skadon me 30 qershor të vitit 2021.

Selmani ishte pjesë e ndeshjeve eliminatore të sezonit të kaluar në Ligën e Kampionëve me Shkëndijën, duke zhvilluar 5 nga gjithsej 6-të, ndërsa gjithashtu zhvilloi edhe dy ndeshjet e ‘play-off” të Liga Europa, mirëpo që në shumicën e ndeshjeve inkuadrohej si zëvendësim.

Me Llapin në Superligën e Kosovës, Remzifaik Selmani zhvilloi vetëm 11 ndeshje, duke realizuar edhe një gol.