Shkëndija prezanton trajnerin e ri (VIDEO)

Shkëndija zyrtarizon gjermanin Tomas Brdariç si shef të ri të stafit teknik. 41 vjeçari firmos kontratë 18-të mujore me opsion vazhdimi nëse palët mbesin të kënaqura, ndërsa me vete në klub sjell edhe Armin Friedrich që do të jetë asistent i tij.

Tekniku gjerman Tomas Brdariç zyrtarisht emërohet shef i stafit teknik të KF Shkëndija dhe do të drejtojë skuadrën në vazhdim të kampionatit ku kërkohet titulli i kampionit dhe mbrojtja e trofeut të Kupës. Gjermani firmos për një vit e gjysmë, me opsion të zgjatjes nëse palët mbeten të kënaqura nga bashkëpunimi. Ardhja e tij pritet të sjellë një frymë të re në skuadër, në drejtim të ngritjes së ekipit në nivele më të larta. Brdariç shprehet i kënaqur për besimin e dhënë nga drejtuesit e klubit, ndërsa është i vetëdijshëm për pritjet dhe ambiciet e skuadrës.

“Jam falënderues shumë për sfidën e madhe që kam marrë nga KF Shkëndija. Shpresoj që të përmbush pritjet e klubit, familjes Destani, si dhe të kompanisë Ecolog. Definitiv do të jap më të mirën që është në fuqinë time, do të tentoj që bashkë me trajnerët dhe stafin të përgatisim ekipin sa më mirë që është e mundur për gjysmësezonin që pason, me qëllim për të qenë më të suksesshëm, të luajme një futboll me te cilin shikuesit dhe rrethi të mund të identifikohen. Jam shumë falënderues për besimin që kam marrë dhe shpresoj që me ekipin tim të përmbushim të gjitha pritjet“, deklaroi Tomas Brdariç në prezantimin e tij si trajner i ri i Shkëndijës. Bashkë me Brdariçin në skuadër vjen edhe gjermani Armin Friedrich që do të jetë ndihmës trajner, ndërsa këto ditë do të finalizohen edhe lëvizjet tjera brenda stafit teknik.

Skuadra të dielën ka paraparë startin e fazës përgatitore dhe shefi i ri i stafit teknik tani më i gatshëm pret grumbullimin e parë ku fillimisht do të njoftohet me futbollistët, ndërsa më pas do të nisë punën sipas planprogramit të hartuar paraprakisht.

Loading...