Shkëndija ‘ia merr’ futbollistin shqiptar Vardarit

KF Shkëndija nga Tetova me kënaqësi komunikon marrëveshjen me futbollistin e talentuar Jakup Berisha.

Mesfushori ofensivë vjen nga radhët e Vardarit, ndërsa pas firmës është bashkuar me ekipin në Antalia. Krahas tij zyrtarisht kuqezi janë edhe Berat Beqiri dhe Zija Merxhani, transmeton Gazeta Olle.

Kuqezinjtë përveç të tashmes me shumë përkushtim mendojnë edhe për të ardhmen. Në këtë drejtim klubi me kënaqësi komunikon angazhimin e futbollistit 18-të vjeçar Jakup Berisha. Mesfushori i talentuar pranon ofertën e kryesisë së Shkëndijës dhe braktis Vardarin e Shkupit, për tu lidhur me kontratë profesionale me skuadrën tonë. Berisha pasi ka zyrtarizuar kalimin në Tetovë, menjëherë pas firmës ka udhëtuar drejt Antalias ku bashkohet me ekipin për të vijuar fazën përgatitore.

Ndërkohë zyrtarisht me kuqezinjtë firmosin edhe Berat Beqiri e Zija Merxhani. 22 vjeçari Beqiri luan si anësorë krahu, ka nisur karrierën në Danimarkë ndërsa pasi kalon fazën testuese firmos me kuqezinjtë. Mbrojtësi i majtë Merxhani është lojtar i ritur në shkollën e Shkëndijës, ndërsa luajti si huazim te Drita e Bogovinës, Gostivari dhe Struga Trim Lum.