Shkëlqejnë në Gjermani, garuesit nga Kosova rikthehen me medalje

Garuesit e rinj kosovarë kanë shkëlqyer në turnetë e rëndësishëm të Taekwondos, të cilët janë mbajtur në Gjermani.

Në datat 7 e 8 dhjetor, në qytetin Sindelfingen të Gjermanisë u mbajt Kampionati Evropian për fëmijë “European Open Kids Championships 2019”.

Diell Munishi, kategoria deri në 26 kilogramë nga klubi i Taekwondos, “Olympic Art” ka arritur ta fitojë medaljen e argjendtë.

Ndërsa, edhe dy garuesit tjerë të klubit “Olympic Art”, Diell Munishi e Lea Aliu, bënë performanca të shkëlqyeshme në këtë garë prestigjioze për fëmijë.

Në të njëjtën ditë u mbajt edhe turneu ndërkombëtar i Taekwondos “Park Pokal Cup 2019”.

Tre garuesit pjesëmarrës kosovarë arritën t’i fitonin tri medalje të arta në kategorinë e fëmijëve dhe kadetët.

Pjesëmarrës ishin 700 garues nga të gjitha shtetet e Evropës.

Ky është suksesi i radhës për sportin e Taekwondos së Kosovës.

Pa dyshim, merita të mëdha për këto suksese ka edhe trajneri Arsim Agushi.