Shkalla e Dytë i rikthen vendimin Komisionit të Garave për dënimin e mundshëm të Dritës

Kryetari i klubit nga Mitrovica, Abedin Zeka, i ka thënë “Sportit në KTV”, se Komisioni i Shkallës së Dytë, e ka kthyer në pikën zero vendimin e Komisionit të Garave.

“Ne jemi ankuar te Komisioni i Garave për rastin e lojtarit të Dritës që nuk ka pasur të drejtë të luajë. Komisioni e ka refuzuar ankesën tonë dhe ne kemi bërë ankesë në shkallën e dytë, e cila ka vendosur që rasti të kthehet në pikën zero. Unë jam i bindur se nuk do të luajmë në barazh, pasi kemi të drejtë në atë që po ankohemi, madje ankesa jonë bazohet me fakte”, ka thënë Zeka për KTV-në.

Trepça ’89 është ankuar për aktivizimin e lojtarit të Dritës, Ardit Mustafa, që sipas mitrovicasve, nuk ka qenë i licencuar dhe nuk ka pasur të drejtë loje në Superligë.

Komisioni i Garave mund të hapë procedurë dhe rastin ta dërgojë te Komisioni Disiplinor, i cili do të vendoste përfundimisht.

Në të kundërtën, nëse KG-ja nuk merret më me këtë rast, atëherë 89-shi mund të ankohet edhe në shkallën e tretë, që është Komiteti Ekzekutiv i FFK-së.

Në rast se vendoset në favor të Trepçës ’89, klubi që kërkon heqjen e 9 pikëve për Dritën , atëherë në barazh do të luante ekipi nga Gjilani.