Shfaqen pasojat e para të pandemisë në futbollin e Kosovës

Ashtu siç është parashikuar edhe ndodhi. Pasojat e para të pushimit të detyruar të pandemisë në futbollin e Kosovës tashmë janë shfaqur. Tri lëndime të futbollistëve janë regjistruar për vetëm dy ndeshje. Mjeku sportiv dhe nutricionisti Agron Rexhepi në një bisedë me “Zeri.info” ka thënë se përgatitja e dobët fizike ndikon që të rritet shkalla e lëndimeve te futbollistët. Flasin edhe trajnerët dhe njëri nga lojtarët e lënduar

Pas një pauze prej më shumë se dy muajve, futbolli i Kosovës rinisi me dy ndeshjet gjysmëfinale të Digitalb Kupës së Kosovës, FC Prishtina – Drenica (3:0) dhe Ballkani – Feronikeli (0:0), të cilat u zhvilluan të martën, respektivisht të mërkurën.

Për shkak të pandemisë COVID-19 futbollistët u detyruan të ndalnin aktivitetet e tyre grupore, derisa u stërvitën individualisht në shtëpitë e tyre që nga mesi i muajti mars, kur u shfaqen rastet e para të virusit në Kosovë.

Ministria e Shëndetësisë në koordinim me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik dhanë leje për klubet elitare kosovare të rikthehen në stërvitje nga 18 maji, që futbollistët të nisin me përgatitje grupore para rikthimit të futbollit.

Me t’u rikthyer ndeshjet nisën të shfaqen edhe pasojat e para te futbollistët, ku vetëm në dy ndeshje u regjistruan tri lëndime.

Në ndeshjen FC Prishtina – Drenica pësoi lëndim futbollisti i drenicasve, Arbios Thaçi, kurse në ndeshjen Ballkani – Feronikeli u lënduan Përparim Islami dhe Harmoni te skuadra nga Drenasi.

 

Mjeku sportiv Agron Rexhepi: Përgatitja e dobët fizike rrit shkallën e lëndimeve te futbollistët

Mjeku sportiv dhe nutricionisti Agron Rexhepi në një bisedë me “Zeri.info” ka thënë se përgatitja e dobët fizike ndikon që të rritet shkalla e lëndimeve te futbollistët.

“Përgatitjet e dobëta fizike ndikojnë në rritjen e shkallës së lëndimeve te futbollistët. Por, është edhe koha e shkurtër e zhvillimit të ndeshjeve, andaj me shpejtësi mundohen të arrihen shumë gjëra. Pra, ka ndikuar edhe faza përgatitore”, u shpreh Rexhepi.

Tutje, ai ka thënë se edhe në rastet kur futbollistët nuk janë pjesë e ndonjë skuadre, ata nuk duhet të jenë pasivë.

“Sportistët nuk duhet të kenë asnjëherë pushim, edhe kur nuk janë me klube, ata nuk duhet të ndalen pasi që nëse vetëm dy javë qëndrojnë pasivë, atëherë shkon deri në tetë javë kohë kur sportistët kthehen në formën optimale”, përfundoi të enjten Agron Rexhepi.

 

Sejdiu: Priten lëndime për shkak të pushimit, ky është problem shumë serioz

Trajneri i mirënjohur mitrovicas që drejton Drenicën, Gani Sejdiu, ka folur për përgatitjen fizike të futbollistëve në periudhën e pandemisë.

Ai mendon se futbollistët nuk kanë arritur të përgatiten siç duhet në baza individuale.

“Përgatitja fizike është shkencë në vete. Individualisht, futbollistët nuk kanë mundur të përgatiten. Është problem shumë i madh që do të ndodhë edhe në të ardhmen. Edhe në Gjermani janë shfaqur shumë lëndime. Sistemi muskulor nuk mund t’i përballojë ngarkesat e shumta”, ka thënë të enjten Gani Sejdiu.

Tovërlani: Është koha që ndeshjet t’i zhvillojmë në fusha me bar natyral

Feronikeli ishte skuadra më e dëmtuar nga lëndimet pas rikthimit të futbollit kosovar, ku vetëm në ndeshjen ndaj Ballkanit mbrojtësi Përparim Islami dhe sulmuesi Harmon pësuan lëndime.

Trajneri i skuadrës, Afrim Tovërlani, ka thënë se deri te kjo situatë ka ndikuar pauza e gjatë, si dhe zhvillimi i ndeshjeve në fusha me bar sintetik.

“Mendoj se dy faktorët kryesor që kanë ndikuar te lëndimet janë pauza e gjatë si dhe fushat sintetike. Klubet në Kosovë e kanë tepruar me fushat sintetike dhe mendoj se ka ardhur koha që ndeshjet e Superligës të zhvillohen në fusha me bar natyral sepse fushat sintetike janë shkatërruese për futbollistët. Por, edhe pauza e gjatë e ka bërë të veten”, deklaroi “Toki”.

Gjithashtu, trajneri më i suksesshëm në futbollin kosovar ka folur edhe për gjendjen e Islamit dhe Harmon, derisa konfirmoi se ky i pari do të mungojë më gjatë shkaku i lëndimit.

“Përparimi është lënduar më shumë dhe do të mungojë më gjatë, kurse Harmon e ka pasur një lëndim më të lehtë”, përfundoi Afrim Tovërlani.

Gazeta ka biseduar edhe me Islamin. “E kam pësuar një dëmtim. Mbetet të shihet se për çka saktësisht bëhet fjalë pas edhe një konsulte mjekësore që do ta kem”, deklaroi Islami, i cili konsiderohet një ndër mbrojtësit më cilësorë në futbollin e Kosovës.

(Foto: Hlimi Veliu, Gazeta Olle)