Shëndrrohet në idhull

Lezhjanët shpërthyen duke fituar 3-0. Serinë e golave në atë takim transferte e hapi sulmuesi serb Kosta Bajiç që realizoi dopietën e radhës, ndërsa dy golat e tjerë mbajnë autorësinë e mesfushorit tjetër serb, Milan Gjorgjeviç dhe kurbinasit, Bledar Marashi.

Bajiç me dopietën ndaj velipojakëve u ngjit në kuotën e 11 golave, çka i jep mundësinë për t’u shpallur golashënuesi më i mirë i Kategorisë së Parë, ambicie për të cilën është angazhuar që në nisje të sezonit.

Serbi ka qenë disa herë objekt sulmesh nga ana e grupimit, “Ultras Besëlidhja” në faqen e tyre zyrtare në “Facebook”, por, me 11 golat e shënuar nga ana e tij, jo vetëm që ka arritur t’i shuajë këto zëra, por tashmë po kthehet në një idhull për ta.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, sulmuesi nuk e fsheh ambicien e tij për të pretenduar “Këpucën e Artë”. “Besëlidhja mbetet skuadra kryesore që pretendon ngjitjen në Superiore dhe për këtë as që duhet dyshuar, ndaj tashmë po mendojmë për sfidat e radhës.

Që në nisje të sezonit, skuadra ka treguar se është e projektuar për elitën, ndonëse kemi pasur disa ndalesa që na kushtuan kreun. Momentalisht renditemi të tretët në klasifikimin e Grupit A, pozitë jo e favorshme, por jo për alarm, pasi vetëm me pikët e një ndeshje të fituar arrijmë ta rimarrim kreun dhe jam i bindur se shumë shpejt do ta arrijmë.

Duke lënë pas ambiciet tona, desha të komentoj pak ndeshjen e së dielës ndaj Adës, të cilën e fituam bindshëm. Në takimin që luajtëm të dielën u shënuan 4 gola, dy nga të cilët i realizova unë dhe për këtë jam mjaft i lumtur, pasi nuk e shpërdorova besimin e skuadrës dhe të stafit teknik. Ky është një sukses për mua”, e mbyll prononcimin e tij për gazetën sulmuesi serb Kosta Bajiç.