Shefki Kuqi gati ta dërgojë lojtarin e Kukësit në Angli, klubi kërkon 1 milionë funte

Përfaqësuesit e skuadrës së Grasshoperit kanë qenë në stadiumin “Zeqir Ymeri” në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, ku Kukësi luajti ndaj Laçit, për të ndjekur nga afër sulmuesin kryesor të verilindorëve, Sindrit Guri.

Ata kanë pasur edhe një bisedë me presidentin Gjici, duke i ofruar fillimisht 200 mijë euro për të marrë kartonin e autorit të 15-të golave.

Por burime pranë klubit kanë bërë me dije se refuzimi i Gjicit ka qenë i menjëhershëm dhe u ka kërkuar përfaqësuesve të klubit zviceran që të japin ofertën e tyre të fundit.

Ata i kanë bërë me dije se mund të paguajnë maksimumi 300 mijë euro, shumë e cila gjithashtu është refuzuar nga kreu i verilindorëve.

OFERTA – Të njëjtat burime kanë konfirmuar se gjatë bisedës që ka pasur me skautët e Grasshoperit, Gjici, për të treguar vlerën e kartonit të sulmuesit, ka zbuluar edhe një prapaskenë merkatoje.

Anglezët e Sheffield Wed që luajnë në Championship, janë gati që të paguajnë plot 600 mijë euro për të siguruar shërbimet e Sindrit Gurit, por presidenti Gjici i ka kërkuar 1 milion funte.

Guri

Ndërlidhës në bisedime është Shefki Kuqi, i cili ka luajtur më parë me këtë skuadër dhe kohët e fundit ka drejtuar disa skuadra në Finlandë.

Me sa duket, Kuqi ka nisur të bëjë edhe menaxherin dhe klubi anglez ka kontaktuar pikërisht atë për të komunikuar me drejtuesit e Kukësit, për të nisur edhe bisedimet për transferimin e futbollistit. Gjithsesi, ende nuk mund të flitet për një akord mes palëve.