Shaqiri: Jam i tronditur, ajo që ndodhi është e pabesueshme

Xherdan Shaqiri ka folur pas përmbyesjes së rezultatit nga Liverpooli në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, ndaj Barcelonës.

Liverpooli fitoi mbrëmë 4:0 në sfidën e luajtur në Anfield.

Ylli kosovar i Zvicrës e ka quajtur të pabesueshme atë që ndodhi, duke theksuar se edhe vetë është ende i tronditur.

“Është e vështirë të gjesh fjalë për ta përshkruar ndeshjen. Jam shumë krenar me këtë ekipe, çfarë ka arritur. Nuk i kishim numrat (rezultatin) e mirë, shumë na kanë shkruar, por ne besuam në veten tonë dhe në ngritjen e lojës tonë. Është e pabesueshme ajo që ndodhi këtu, jam i tronditur! Është e pabesueshme që kemi arritur ta bëjmë”, deklaroi Shaqiri për “TeleClub”, raporton Gazeta Olle.
Një faktor kryesor për kthesën e madhe, sipas Shaqirit ishin edhe tifozët.

“Ne e dinim fuqinë tonë në shtëpi. Me tifozët tanë gjithçka është e mundur”.
Fjalën e pabesueshme e përsëritë disa herë.
“Ne duhej të shënonim shumë gola dhe e bëmë këtë. Siç thashë, është shumë e vështirë për ta përshkruar. Unë vetëm mund të them se kurrë nuk kam përjetuar diçka të tillë. Kjo është unike, nuk ndodh çdo ditë”, shtoi Shaqiri.

Ai foli edhe për asistin dhe mungesën e paraqitjeve në tre muajt e fundit.
“Nuk ishte e lehtë për mua në tre muajt e fundit. Nuk kam luajtur shumë, por gjithmonë e kam pritur rastin timë, kam stërvitur shumë. Ky është futbolli, ky është një top-klub. Nuk ishte e lehtë, por tani ndihem më mirë”.

Sa i përket finales së dytë në karrierë, ai shton: “Definitivisht duam ta ngritim trofeun lartë. Dua ta bëjë këtë për herë të dytë”.
Herën e parë në finale ishte me Bayernin e Munichut, ku ngriti lartë trofeun.