Shala: Sigal Prishtina ridëshmon cilësinë e basketbollit të Kosovës

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, e uron ekipin e Sigal Prishtinës për suksesin e arritur duke u shpallur për të dytën herë radhazi kampion i Ligës Ballkanike në basketboll (BIBL).

Ngadhënjimi i Sigal Prishtinës shënon një rekord të ri në BIBL ligë, ngase dy herë radhazi arrin të kurorëzohet me titullin e kampionit në dy vite të njëpasnjëshme. Kjo fitore është edhe një ridëshmim për cilësinë dhe traditën që ka basketbolli në Kosovë, dhe përbën edhe një hap historik të basketbollit dhe sportit kosovar, tha ministri Shala.

Shala me entuziazëm e ka përcjellë dhe mirëpritur suksesin që ka arritur Sigal Prishtina duke avancuar edhe më shumë sportin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Ministri Shala bashkë me stafin e MRKS-së po punojnë intensivisht dhe po përkrahin sportin në përgjithësi, në krijimin e kushteve dhe infrastrukturës së përgjithshme, për avancimin dhe afirmimin e sportit kosovar duke u fokusuar në masivizimin e sportit dhe punën me gjeneratat e reja që pjesëmarrja e garuesve kosovarë të jetë sa më konkurruese”, thuhet në njoftim.