Sermaxhaj tregon prapaskenat e largimit nga Ballkani

Trajneri Sami Sermaxhaj është i ftuar në emisionin “Favorit” në T7 ku i zbuloi detajet e arsyes së ndarjes me Ballkanin dhe flet për favoritët e IPKO Superligës.

Sami Sermaxhaj i ka treguar detajet e arsyes së ndarjes ditë më parë me Ballkanin, në emisionin “Favorit” në T7.

Trajneri kosovar thotë se vendimi i kësaj ndarjeje nuk ishte i tij, por i klubit nga Theranda.

“Te Ballkani në fillim kishim kundërthënie në objektiva, pasi kryesia në fillim kishte dhënë premtime të mëdha, madje ishte diskutuar edhe titulli i kampionit. Megjithatë, më pas i precizuam objektivat reale dhe Ballkani është ende në këtë objektiv. Sidoqoftë, drejtuesit e klubit vendosën për ndryshime në shtab teknik, ishte një vendim i njëanshëm”, ka thënë Sermaxhaj.

Ndër të tjera, ai ka shtuar se trajneri duhet të ndërrohet kur të dalë në objektivat, e që ai me ekipin “Portokalli” ishte në objektiv.

“Ne nuk kishim ecuri të keqe këtë sezon. Jam i bindur se Ballkani do të mbetet në Superligë pasi ka potencial”, vazhdoi ai.

Sermaxhaj po ashtu ka thënë se në krye të klubeve duhet të afrohen edhe njerëz nga bota e futbollit, e jo vetëm biznesmenë, të cilët kërkojnë suksese si në bizneset e tyre, por që në futboll të suksesshme mund të tregohen vetëm dy klube, të cilat e sigurojnë daljen në Evropë.

Sa i përket luftës për titull, Sermaxhaj shprehet se ndeshjet tash e tutje do t’i vendosin detajet e vogla, ndërsa pret garë të nxehtë deri në fund të sezonit, qoftë për titull të kampionit, apo edhe për mbijetesë dhe barazh.

Për Prishtinën, ai thotë se në vazhdim do të jetë e privuar për shkak të mungesës së lojtarit kryesor, Meriton Korenica.

Kurse, në garë për Digitalb Kupën e Kosovës i sheh Feronikelin dhe Trepçën ’89 më afër finales, ndërsa shton se në Ballkan, krahas mbetjes në IPKO Superligë, objektiv të dytë e kishte Kupën e Kosovës.

Sermaxhaj e ka lavdëruar mysafirin tjetër në studio të “Favoritit”, Milaim Rama, për të cilin ka thënë se është një shembull për t’u ndjekur.

Ish-trajneri i Prishtinës gjithashtu ka folur edhe për Kombëtaren e Kosovës, për të cilën theksoi se ka shanse të mira për t’u kualifikuar në Evropian, por që kosovarët nuk duhet t’i rrëmbejë euforia.

Ai mendon se trajneri Bernard Challandes solli profesionalizëm tek Kombëtarja e Kosovës, ndërkohë që futbollistët që janë rritur jashtë vendit i këshillon ta zgjedhin Kosovën para vendeve të tjera.