Sermaxhaj me fjalë të mëdha për ndeshjen me Feronikelin

Kryetrajneri i Ballkanit nga Theranda, Sami Sermaxhaj, tha se do të orvaten që të përgatiten sa më mirë kundër Feronikelit nga Drenasi, në ndeshjen e vlefshme të gjysmëfinales së Kupës së Kosovës në futboll, ndërsa sipas tij, fokusin e ka në kampionat.

“Fokusimin e kemi qind për qind për pikë. Kemi kohën e mjaftueshme me u përgatit për Feronikelin, ndërsa shorti ka qenë që ndeshemi me ekipin me të fortë nga këto katër ekipe sa kemi mbetur për Kupë.

Mirëpo, këtë sezon mendoj që jemi më të fortë se sa në sezonin tjetër. Frikë jo Feronikelit por nuk ia kemi asnjë ekipit që garon në këtë ligë. Shpresoj edhe aty do të dalim me sukses”, tha Sermaxhaj për “Bota sot”.

“Ndeshjet e para do të zhvillohen më 17 prill, derisa ndeshjet e kthimit do të luhen më 1 maj”, bëhet e ditur nga FFK.