Serbët: Turqia po na provokon, për Kosovën

Deklaratat e fundit të zëvendëskryetarit të Federatës Turke të Futbollit, Servet Yardimci, se do të votojnë pro anëtarësimit të Kosovës në UEFA në marsin e vitit të ardhshëm, dhe se do të dëshironin Kosovën në grupin e tyre kualifikues për Kupën e Botës që në vitin 2018 do të mbahet në Rusi, u ka djegur medieve serbe, të cilët i kanë cilësuar provokim të rëndë deklaratat e zyrtarit të Federatës Turke.

Yardimci ditëve të fundit ka qëndruar në Kosovë, ndërsa ka rikonfirmuar mbështetjen e Federatës Turke të Futbollit për Kosovën, ndërsa është shprehur i bindur se Përfaqësuesja e Kosovës do të futet në eliminatoret e Botërorit që mbahet në Rusi.

Në rast të votimit pro anëtarësimit të Kosovës në UEFA në kongresin që mbahet në muajin mars të vitit të ardhshëm, FIFA pritet të inkuadroj Kosovën në eliminatorët e Botërorit të Rusisë, duke e futur në njërën nga dy grupet me pesë kombëtare, dhe në njërin prej tyre, janë Turqia dhe Kroacia, dy kombëtare mike të Kosovës.

“Turqit provokojnë serbët: Duan Kosovën dhe Kroacinë në grup për Kupën e Botës”, shkruan Kurir.