S’e vlerësoi ‘shtëpia e tij’, e vlerësoi ‘komshiu’!

Herolind Nishevci u zgjodh sportisti më i mirë i vitit 2017 në konkurrencën e meshkujve krahas Majlinda Kelmendit, e cila fitoi te femrat në përzgjedhjen e më të mirëve që e bëri të mërkurën Komiteti Olimpik i Kosovës, institucioni më i lartë sportiv në vend.

Mirëpo, njëri prej sportistëve më të suksesshëm në Kosovën e pasluftës çuditërisht nuk ishte vlerësuar fare në ceremoninë e shpalljes së laureatëve të vitit 2017 nga federata e sportit të tij, përkatësisht nga Federata e Karatesë e Kosovës, shkruan sot, gazeta “Zëri”.

ffk

Nishevci përfundoi i pesti në Kampionatin Evropian dhe ishte i teti në ranglistën botërore, derisa më herët e kishte fituar medaljen e bronztë në Kampionat Botëror. Megjithatë, këto statistika mbresëlënëse të tij nuk mjaftuan që ai të futet as në 10 më të mirët te FKK-ja. Trajnerja e tij Shqipe Zogiani ka reaguar në rrjetet sociale, duke e konsideruar turpërues vendimin e komisionit të Federatës së Karatesë për ta lënë jashtë më të mirëve garuesin e saj.

“Vlerësohet nga Komiteti Olimpik i Kosovës si institucioni më i lartë sportiv si ‘Mbreti i Sportit 2017’, ndërsa nuk vlerësohet nga Federata e Karatesë. No Comment! Federata e Karatesë nuk e ka vlerësuar dhe nuk e ka futur as në mesin e 10 më të mirëve në Kosovë. Dihet se ishte i 5-ti në Kampionatin Evropian dhe i 8-ti në ranglistën botërore, shkruan “Zëri”.

Nishevci

“Për këtë 13 anëtarët e Bordit të FKK-së do të duhej të skuqeshin, por edhe Komisioni për Shpalljen e më të Mirëve! Krenarë me ty Herolind Q. Nishevci! Krenarë me garuesit e “Ippon”-it!”, ka shkruar trajnerja e Nishevcit në llogarinë e saj në “Facebook”.

Nishevci është njëri prej garuesve të paktë kosovarë që ka mundësi të marrë pjesë në lojërat olimpike “Tokyo 2020” me normë olimpike.

Ai gjithashtu synon suksese tjera në Kampionatin Evropian dhe në atë Botëror.