Salihu godet klanin që thotë se po i qëndron prapa Gramoz Vokrrit

Sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, ka folur për gjendjen momentale në FFK.

Salihu ka diskutuar në emisionin sportiv në TV Dukagjini rreth problemeve të fundit në federatë të ndërlidhura me djalin e legjendës, Fadil Vokrri, Gramozin.

Ai ka kritikuar ashpër klanin, që thotë se po i qëndron pas Gramozit dhe po sulmon kreun e FFK’së, Agim Ademi, shkruan GazetaOlle.com.

“Me akuzu Agim Ademin edhe këtë komitet, është diçka absurde. Është e vërtetë që i kemi ofruar poste (Gramozit), është e vërtetë ajo që thotë kryetari Ademi. Nuk kemi pasur pozitë tjetër më të mirë. Me u bë drejtor për marrëdhënie me jashtë është të bëhesh personi i tretë në federatë.

Duhet kuptuar që Fadil Vokrri është Fadil Vokrri. E ky është Gramoz Vokrri. E dimë që kurrëfar kontributi në futboll nuk ka Gramozi, përpos që është djali i Fadil Vokrrit”, u shpreh Salihu.

“Kjo po lidhet krejt me njëfarë skenari. Një skenar i turpshëm. Gramozin e kemi pasur si djalin tonë, ai komitet e ka mbrojtë babain e tij, për të mirë apo për të keq. Gramozi në asnjë moment nuk është ai që ka bë skenar. Gramozi po përdoret si mjet për ata të cilët po e quajnë vetën iniciatorë”, shtoi tutje sekretari i FFK’së.