Sahiti: Turp për Feronikelin, është ekip për mesin e tabelës

Pranvera e Superligës po nxehet dhe shtatë xhirot e fundit pritet të jenë vërtetë ‘përvëluese’. E për ta bërë akoma më interesant duelin në distancë mes skuadrave që e synojnë titullin, përkujdeset Samir Sahiti.

Ai e sulmon Feronikelin duke thënë që mënyra se si kjo skuadër e fitoi ndeshjen ndaj Dritës është turp, si dhe sipas tij, ekipi nga Drenasi duhet të jetë në mesin e tabelës.

“Të gjitha skuadrat që e ndjekin titullin janë më të mira se Feronikeli. Ai ekip për pozitat 5 ose 6. Të gjithë e pamë se si fituan ata. Ajo është një turp i madh dhe është mëkat se si Federata nuk po e dënon”, deklaroi Sahiti për Gazetaolle.com.

“Ne do të luftojmë për titull deri sa matematika do të na lejojë, e çka flasin djemtë e mixhës së Burdushit nuk na intereson. Titullin le ta fitojë më i miri, por mos luani si Feronikeli sepse ashtu nuk ju duhet asgjë”, shtoi mitrovicasi.

Trepça ’89 të dielën luan në udhëtim kundër skuadrës së Hajvalisë. /Gazeta Olle