Safet Gjici, dorëhiqet nga Kukësi

Tani mund ta quani ish-presidenti Gjici. Safet Gjici ka deklaruar sot se është tërhequr nga strukturat drejtuese të skuadrës së Kukësit, për shkak të detyrave që mban në Bashkinë e qytetit verilindor.

Në një intervistë ku nuk ka zbuluar se kujt i ka besuar tashëm drejtimin e ekipit, Gjici ka folur për pritshmërinë e skuadrës, para të cilës sot ka mbajtur një fjalim në stërvitjen e parë pas kthimit nga Antalia.

“Ajo që më kënaq është se të gjithë lojtarët janë në formë, nuk kanë dëmtime dhe kjo është gjë e mirë. Besoj se me kapacitetet që ka ky ekip, besoj se do të ecim mirë. Kemi luajtur në fusha të huaja në të gjithë kampionatin, edhe vjet edhe këtë vit.

Investimi po ecën me ritme të shpejta dhe uroj që të mbyllet brenda verës që ne të kthehemi në fushën tonë”, tha ai për “Top Channel” ku më pas zbuloi se të paktën për momentin nuk po merrej ai drejtpërdrejt me ekipin.

“Unë jam në pozicion tjetër tani, unë jam kryetar bashkie e nuk jam më pjesë e strukturave të klubit. Por bashkia ka aksionet e veta te klubi paçka se bashkia nuk ka shpenzuar asnjë lek te klubi, edhe sot që flasim por edhe shumë vite më parë”, shpjegoi ai situatën aktuale.

Ndërkohë, Gjici foli edhe për rivalitetin në luftën për titull, duke quajtur Partizanin si kundërshtarin kryesor e duke i bërë thirrje tifozëve të ishin sa më të shumtë në numër në ndeshjen e fundjavës së ardhshme mes dy ekipeve.

“Besoj se Partizani do të luftojë deri në fund, Tirana pse jo, po kështu edhe Bylisi. Por unë them se rival kryesor do të jetë Partizani.

Kështu që të gjithë tifozët e Kukësit kudo që janë i bëj thirrje të vijnë në stadiumin e ri, por edhe të shohin një ndeshje që do të japë spektakël”, deklaroi Gjici.