Rummenigge: E di pse Interi dëshiron ta shesë Shaqirin

Karl-Heinz Rummenigge thotë se Interi ia ka treguar arsyen se pse dëshiron ta largojë Xherdan Shaqirin, por shton se “nuk mund ta zbulojë këtë informacion”.

Mesfushori i përfaqësueses së Zvicrës arriti në San Siro në afatin kalimtar të janarit nga Bayern Munich në formë huazimi me blerje të detyrueshme për 18 milionë euro. Por ai tashmë është në listën e shitjeve.

Rummenigge, është pyetur për situatën e shqiptarit dhe ai ka thënë se ka diçka prapa kësaj.

“Pse Interi dëshiron ta largojë Shaqirin aq shpejt? Ata më kanë treguar, por unë nuk mund ta zbuloj këtë informacion. Nuk kam koment”, ka thënë gjermani.

Mendohet se ka pasur probleme prapa skenave në mes të Shaqirit dhe trajnerit Roberto Mancini, i cili ka kritikuar përkushtimin e tij në stërvitje.

Stoke City, Schalke 04 dhe Wolfsburg ishin të interesuar për të, por Shaqiri tashmë ka refuzuar çdo opsion.