Rugova motivohet ndaj Prishtinës

Ish-lojtari i Sigal Prishtinës, tani i Pejës, Fisnik Rugova, thotë se Peja ka mundësi që të fitojë edhe në kryeqytet sikurse në ndeshjen e kaluar në Pejë, në kuadër të ndeshjes së tretë të ‘play off-it’ për ETC Superligën e Kosovës në basketboll.

Sipas tij, skuadra ‘verdhezi’ e tregoi kualitetin e saj para pak ditësh, kur e mundi ekipin prishtinas. “Prishtina do të kërkojë fitore me çdo kusht, po ashtu edhe ne, andaj do të jetë shumë vështirë. Shpresoj që të luajmë në 100 për qindëshin tonë dhe besoj që mund t’ia dalim. Në ndeshjen e kaluar patëm një mbrojtje të mirë dhe duhet ta kemi edhe këtë herë, si dhe sa më shumë kërcime në fazën ofensive. Jemi komplet dhe forma ime është e mirë. Gjithsesi edhe motivi është i lartë për fitore”, ka theksuar Rugova për Gazetën ‘Zëri’.

Dueli nis në orën 20:00, ndërsa Sigal Prishtina ka kërkuar përkrahje maksimale prej “Plisave”.