Reagon Kapra: As në protokoll nuk shkruan që sulmova gjyqtarin, atë e ofendova dhe kërkoj falje publike!

Trajneri i respektuar nga qyteti i Prizrenit, Skender Kapra, ka reaguar pas pezullimit nga Federata e Futbollit të Kosovës.

Komisioni Disiplinor e pezulloi deri në vendimin e ardhshëm me arsyen se Kapra e kishte sulmuar fizikisht gjyqtarin e ndeshjes Liria – 2 Korriku në kategorinë e kadetëve.

“SKENDER KAPRA; trajner në klubin e futbollit “LIRIA” nga Prizreni me numër të ID kartelës; 00289, në procedurë të iniciuar disiplinore nga ana e Komisionit të Garave, për ofendime dhe pastaj sulm fizik në gjyqtarin kryesor të ndeshjës së javës së; XVI-të Superligës së Kosovës në futboll për kategorinë e kadetëve në nivel nacional LIRIA – 2 KORRIKU, e zhvilluar me datë 06.04.2019 në Prizren (raportet nga ndeshja e zhvilluar) bazuar në Rregulloren Disiplinore neni 32 paragrafi 1; PEZULLOHET pa të drejtë në kryerjen e detyrës së trajnerit dhe funksioneve tjera në klub deri në kompletimin e lëndës – vendimin përfundimtar të komisionit lidhur me ndeshjet zyrtare të organizuara nga ana e Federatës së Futbollit të Kosovës”, thuhet në vendimin e FFK-së.

E Kapra ka dërguar në adresë të gazetës një reagim, madje edhe komentin e delegatit të ndeshjes, ku në dokument nuk thuhet askund që Kapra ka sulmuar fizikisht gjyqtarin.

Prizrenasi ka deklaruar që vetëm e ka fyer gjyqtarin, duke kërkuar ndjesë për një gjë të tillë.

“E vërteta është në protokollin e ndeshjes. Unë nuk e kam sulmuar, bëhet fjalë për një ofendim për të cilin publikisht kërkoj falje”, deklaroi Kapra për Gazetën Olle.

“Ishte një penallti e lehtë dhe gjyqtari ishte pothuajse në mes të fushës. Përndryshe, gjatë gjithë kohës kam qenë i ulur në bankinë pa u ngritur fare. Unë e pranoj gabimin tim, por nuk e kam sulmuar askund”, shtoi ai.

Ndryshe, Kapra njihet si person i sjellshëm dhe trajner i qetë, prandaj është edhe i respektuar në Prizren dhe jo vetëm.

Më poshtë mund të shihni protokollin zyrtar të ndeshjes. /Gazeta Olle/