Rrëfimi i Gramozit për legjendën Vokrri dhe rolin e tij në FFK

Mëngjesi i nëntë qershorit nuk ishte i zakonshëm për popullin shqiptarë, e në veçanti për futbollin dhe familjen Vokrri.

Ai kishte pësuar një sulm në zemër, të cilit nuk kishte arritur t’i mbijetonte.

Nënshi i famshëm në ato momente ishte duke i bërë gjërat rutinore të tij, ai ishte në një palestër fitnesi.

Vokrri ishte në krye të Federatës së Futbollit të Kosovës nga viti 2008. Ishte rikthyer nga Parisi me vetëm një qëllim, të ndërkombëtarizonte futbollin kosovar, duke e futur FFK-në, në instancat më të larta të futbollit në UEFA dhe FIFA.

Siç e dimë të gjithë, Vokrri kishte pasur një karrierë të jashtëzakonshme si futbollist, duke luajtur për KF Llapi, FC Prishtinën, Partizanin e Beogradit, Fenerbahce dhe disa klube franceze në perëndim të karrierës së tij. Ai kishte arritur të luante edhe për kombëtarën e ish Repbulikës Jugollsave.

Vokrri kishte bërë gjenerata të shumta të kërcenin në shkallët e ndryshme të stadiumeve me driblimet e golat e tij dhe këtë e përsëriti në momentin që futbolli kosovar u ndërkombëtarizuar. Pas tetë vitesh punë të palodhshme dhe lobime të shumta, Vokrri e fitoi betejën e tij duke bërë që UEFA dhe FIFA ta pranojnë Kosovën. Për nënshin e famshëm këto dy “gola” ishin më të rëndësishmet.

Me t’u pranuar në këto dy instuticione, Kosova tashmë do të krijonte përfaqësuesën e saj të futbollit. Qëllimi i legjendës kishte ndryshuar pas pranimit, ishte kualifikimi i Kosovës në kampionat botëror ose në atë evropian.

Kosova në kualifikimet për botërorin “Russia2018” që u zhvillua verën që shkoi, nuk kishte arritur të kualifikohej. Pas largimit të kryetrajnerit, Albert Bujaki, Vokrri kishte përzgjedhur trajnerin aktual, Bernard Challandes, për të udhëhequr Kosovën drejt Euro 2020.

Kosova filloi aventurën e saj të dytë në Ligën e Kombeve, por pa ideatorin, liderin, legjendën, që na mundësoi të shiojmë këto paraqitje fantastike të djelmoshave tonë dhe sukeseve të tyre. Ndoshta, nga lartë ai është duke na përcjellur dhe shpresojmë që ta kompletojmë misionin e tij, e që është Kosova të jete pjesë e Euro2020.

Rugën e tij të lavdishme do të mundohet ta vazhdojë i biri i tij, Gramoz Vokrri. Në fushat e gjelbërta, Gramozi nuk ia arriti, por këtë do të tentojë ta bëjë duke vazhduar vizionin e babait të tij në të ardhmën e afërt në Federatën e Futbollit të Kosovës.

Gramozi në një intervistë për Arbresh.Info ka rrëfyer momente të ndryshme me legjendën dhe si do ta vazhdojë punën dhe vlerat e tij.

Më poshtë mund të lexoni intervistën e plotë me Gramozin:

Na përshkruani me tri fjalë legjendën Fadil Vokrri?

-Nuk është e lehtë me përshkruar një figurë të tillë me vetëm, tri fjalë por ndoshta e kisha përshkruar me këto 3 epitete: I vendosur, gjithmonë ka dëshmuar një karakter të jashtëzakonshëm përballë vështirësive sidomos gjatë procesit të pranimit në UEFA dhe FIFA. Shpresëdhënës: ka qenë gjithmonë optimist në përgjithësi por sidomos për futbollin kosovar, që nga dita e parë. Gjithmonë e ka dhënë shpresën që një ditë, rinia e Kosoves do jete e barabarte me vendet tjera sa i takon futbollit dhe gjithmonë e ka pas ëndërr me pa një Fadil Vokrri të ri dhe sot e di që është krenar me djemtë e kombetarës.

Keni provuar ti ndiqni hapat e tij, vitë më parë keni luajtur në Francë, pse e ndërpretë karrierën?

-Kam luajtur në Francë në nivele mjaft të mira, por ndoshta nuk kamë qenë aq serioz në punë për me arritë akoma më lartë sepse pa punë dhe angazhim maksimal talenti nuk mjafton dhe pastaj vendosa me u kthy në Kosovë pranë babait tim.

Përpos babait, cili ka qenë idoli tjetër në futboll i Gramozit?

-Padyshim, Zinedine Zidane sepse është sinonim i futbollit që e pëlqejmë të gjithë. Poashtu ka qenë shumë elegantë dhe zotëri brenda por edhe jashtë fushave.

A është vendosur ende pozita juaj në FFK?

-Për momentin jemi në pritje të organogramit përfundimtar dhe besoj që shumë shpejt do e gjejmë një gjuhë të përbashkëtë me krerët e FFK-së për një pozitë që i kënaq të gjitha palët. Në fakt punët e federatës nuk janë të panjohura për mua, sepse kam qenë shumë afër Fadil Vokrrit para dhe pas pranimit në instancat ndërkombëtare.

Na trego emocionin tënd në lojën e parë të kombëtares tonë, në stadiumin që tashmë mban emrin Fadil Vokrri. Si jeni ndjerë atë natë, kur dëgjonit brohoritjet, për legjendën e futbollit?

-Ka qenë emocion i jashtëzakonshëm mes dhimbjes dhe krenarisë. Padyshim do të mbetet një kujtim i paharruar dhe dua ta falenderoj tifo grupin “Dardanët” për këtë iniciativ dhe gjithë qytetarët që e kaë mundesu atë koregrafi. Poashtu edhe lojtarët qe e kanë sjellë “qershin mbi tortë” me një fitore që do të mbahet mend gjatë.

Çka mendon për kombëtarën e Kosovës, si e vlerësoni Ligën e Kombeve?

Kombëtarja e Kosovës është me potencial shumë të madh për të ardhmen. Vendi i parë në grupin D të ligës së kombëve e dëshmon me së miri këtë fakt. Nuk ka qenë fare e lehtë por kjo mbetet vetëm një hap sepse kemi ende shumë punë për të bërë. Selektori Challandes dhe lojtarët po dëshmojnë çdo herë një karakter të jashtëzakonshëm dhe që vetem me punë, vullnet dhe përkushtim Kosova mund të ngritet në elitën e futbollit.

Na flisni pak për fushatën kualifikuese që nis ne mars?

-Natyrisht pas këtij cikli të sukseseshëm ne Ligën e Kombeve pritjet janë të mëdha sa i perket fushatës kualifikuese. Nuk do jetë aspak e lehtë, do të shohim me saktësisht se “ku jemi” sepse kemi te bëjmë me kundërshtarë shumë të fortë dhe me përvojë. Megjithatë besoj që egziston një mundësi reale por duhet të ecim me këmbë në tok dhe të vazhdojmë punën e mire që është duke u bërë pa eufori të tepruar. Në futboll asgjë nuk është e pamundur.

Çka po i mungon aktualisht Përfaqësuesës së Kosovës?

-Kosovës ndoshta i mungon një fitore kundër një kundershtari me emër të madh për të hyrë definitivisht aty ku e ka vendin, në mesin e skuadrave të forta europiane. Në aspektin e lojës ndoshta na mungon pak qëndrushmëri në momente më të vështira të lojës, me qenë me efektiv sepse detajet gjithmonë e bëjnë dallimin. Dallimin mes një fitore dhe një humbje, mes një skuadre mesatare dhe një skuadre elitare. Megjithatë, Kosova është e re dhe duke u zhvilluar, duke ecur me këmbë në tokë dhe me punën që po bëhët kemi shumë arsye për të qenë optimist