Rrahmani: S’kemi faj që kemi dy kombëtare

Amir Rrahmani, mbrojtësi i ri i Kosovës, thotë se asnjë futbollist nuk duhet të ofendohet apo të kritikohet për vendimin e tij se a do të përfaqësojë Kosovën apo ndonjë kombëtare tjetër.

Në një intervistë për Interaktiv të KTV-së, Rrahmani ka deklaruar se Shqipëria më në fund ia ka lëshuar dokumentet dhe i ka dhënë leje që të kompletojë kalimin te Kosova. Kjo erdhi një ditë pasi kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, deklaroi në KTV se FSHF ka penguar dokumentet e lojtarit.

“Sot kam marrë edhe lejen nga Shqipëria dhe shpresoj që të shumë shpejt të përfundojë gjithçka”, ka thënë ai për KTV-në.

I pyetur në lidhje me zgjedhjen e kosovarëve të përfaqësueseve të tjera që të mos i bashkohen Kosovës, Rrahmani ka thënë se zgjedhja është individuale dhe askush nuk ka faj që shqiptarët kanë dy kombëtare të futbollit.

“Shqiptarët nga Kosova do të thonë bravo që ke zgjedh Kosovën e ata të Shqipërisë nuk ndihen të kënaqur. Varet si e përjetojnë njerëzit. Kemi dy shtete dy kombëtare, s’kemi faj që politika ka ndikuar te këto zgjedhje”, ka shtuar Rrahmani duke ftuar që futbollistët të mos ofendohen për zgjedhjet e tyre.

Rrahmani po ashtu është shprehur optimist për ndeshen e 6 shtatorit ndaj Finlandës duke thënë se Kosova mund të befasojë në ndeshjen e parë drejt Rusia 2018.

“Besoj që do t’i befasojmë. Kemi ekip të mirë e do të arrijmë shpejt në majat e botës”, ka përfunduar ai.