Rrahmani do të marrë pagë prej 1.8 milionë eurosh te Napoli, por a e dini sa paguhej te Drenica?

Nga 250 eurot e Drenicës, te 1.8 milionë eurot për sezon të Napolit.

Amir Rrahmani ka bërë një rrugëtim të jashtëzakonshëm, duke depërtuar nga futbolli kosovar në majat e futbollit evropian.

Napoli pagoi 14 milionë euro për të, ndërsa prishtinasi do të fitojë 1.8 milionë euro në sezon në “San Paolo”.

Mirëpo, a e dini sa e kishte pagën mujore te Drenica?

Kurreshtjen ua shuan ish-trajneri i tij, Tahir Lushtaku, në një prononcim për gazetën.

“Kur Amiri erdhi te Drenica, ai fillimisht kishte rrogë minimale. Në gjashtë muajt e parë, Amiri paguhej me 250 euro”, deklaroi Lushtaku për Gazetën Olle.

“Më pas në 12 muajt e fundit, paga e tij ka qenë diku rreth 400 ose 500 euro”, shtoi Lushtaku.

Si ish-trajner i Rrahmanit, Lushtaku u shpreh shumë i lumtur për karrierën e Amirit.

“Ai ka qenë gjithmonë i përkushtuar dhe jam shumë i lumtur që po e bën një karrierë të jashtëzakonshme”, shtoi Lushtaku.

Rrahmani ishte pjesë e Drenicës deri në edicionin 2013/14.

Ai më pas u transferua te Partizani, për të vazhduar te RNK Split, Dinamo Zagreb, Verona e tani Napoli.

Kapiteni i Përfaqësueses së Kosovës ka nënshkruar kontratë 5-vjeçare me klubin e madh italian.

Gjithsesi, ai do të mbetet te Hellas Verona deri në fund të këtij edicioni dhe do t’i bashkohet Napolit në verë.

Besohet se blutë kanë paguar 14 milionë euro për Rrahmanin.

Përpos kësaj shume, në kontratë është përfshirë edhe një bonus prej 1.5 milionë eurosh.

Pas testeve mjekësore të kompletuara në “Villa Stuart” në Romë, Rrahmani nënshkroi nën praninë e presidentit të Napolit, De Laurentiis.

Trajneri i parë i Rrahmanit te Kosova e Prishtinës, Avni Gashi, ka treguar për Klan Kosova zhvillimin e Rrahmanit si futbollist.

“Për suksesin e Amir Rrahmanit është vendimtare dëshira e tij për futboll dhe puna në stërvitje”, u shpreh Gashi.

“Në atë pozitë ka luajtur gjithmonë, numrin 5 të fanellës e ka pasur në shpirt. Disiplina dhe përkushtimi i tij ishte i jashtëzakonshëm, por e ka ndihmuar shumë edhe dashamirësia e familjes së tij”.

“Kjo është fanella e parë të cilën kam dashur t’ia dhurojë, por ma ka lënë si kujtim”, shtoi ai.

Trajneri i dytë i Amirit ishte Ilir Sopi.

Ai e vlerëson Amirin si shembull për fëmijët tjerë që luajnë futboll në Kosovë.

“Duhet ta shikoni Amirin nga ku nga dalë dhe ku ka arritur. Ai ka arritur në kushte edhe më të vështira. Fëmijët tanë nuk duhet të gjunjëzohen dhe të mos dëshpërohen”, deklaroi Ilir Sopi.

Sopi i mbanë ende shënimet për Rrahmanin, të cilat i kishte mbledhur kur e kishte futbollist.

Kapiteni i Kosovës pritet të zyrtarizohet së shpejti te Napoli. /Gazeta Olle/