Rrahja e Oto John, Skënderbeu paralajmëron tërheqjen nga garat

Skënderbeu u mund në Fushë Krujë nga Kastrioti me rezultatin 2-1, një ecuri negative e korçareve me 5 humbje radhazi.

Gjithsesi para ndeshjes u regjistrua një incident i rëndë, pasi tre lojtarë u sulmuan nga disa persona në hyrje të stadiumit “Redi Maloku”.

Në lidhje me këtë rast, Skënderbeu ka dalë në një deklaratë zyrtare ku kërkon që të kapen personat përgjegjës për këtë sulm dhe të vihen para drejtësisë, duke e cilësuar si një agresion të mirë menduar.

Për këtë, klubi korçar ka kërkuar që FSHF të marrë të gjitha masat e nevojshme në të kundërt do të rishikojë vazhdimësinë e garës deri në fund të kampionatit.

Deklarata zyrtare e Skënderbeut:

“Duke marrë shkas nga ngjarjet e pragndeshjes së sotme, KF Skënderbeu dënon fuqishëm aktet e ndodhura në Fushë-Krujë dhe vendosjen para drejtësisë të personave përgjegjës.

Kemi vënë në dijeni sot të gjithë opinionin futbolldashës me reagimin e përpara fillimit të takimit, ku janë goditur qysh në hyrje tre lojtarë të Skënderbeut. E themi me bindje se ky vandalizëm ndaj nesh ka qenë i mirë ogranizuar deri në detaje, aq më tepër në hyrje të stadiumit kur njerëz të paautorizuar janë vërsulur ndaj lojtarëve tanë duke përfituar edhe nga kushtet e papërshtatshme që ka stadiumi ku u luajt edhe ndeshja por edhe nga mungesa e forcave policore apo sigurisë private.

Sigurisht që kjo ngjarje ndikoi edhe në mbarëvajtjen e ndeshjes, por me këtë nuk duam të justifikojmë aspak humbjen që pësuam në këtë takim të javës së 20-të.

Kërkojmë nga Federata Shqiptare e Futbollit sa më parë që të merren masa për incidentin e ndodhur sot në Fushë Krujë dhe parandalimin e këtyre fenomeneve në vijim të sezonit për një mbarëvajtje sa më të mirë të garës.

KF Skënderbeu kërkon me ngulm nga organet kompetente nisjen e hetimeve, zbardhjen e plotë të çështjes dhe evidentimin e autorëve të këtij incidenti të mirë organizuar paraprakisht, ndryshe Klubi i Futbollit “Skënderbeu” do të rishikojë vazhdimin e garës deri në fund.

Edhe njëherë nuk duam të justifikojmë humbjen, por atë që pa me sytë e vet sot ekipi në takimin ndaj Kastriotit vetëm për futboll nuk mund të flitet më pas.

Në pritje të reagimit të organeve kompetente.

Me respekt,

Klubi i Futbollit ‘Skënderbeu’”