Robert Gjeraj tregon se si mund të mbetet Besa në Superligë

Futbollistët e Besës janë kthyer nga Durrësi ku e zhvilluan një pjesë të përgatitjeve për stinorin pranveror, ndërsa stërvitjet po i vazhdojnë në Pejë.

Skuadrën e trajnerit Valdet Shoshi e pret punë e vështirë, pasi gjatë vjeshtë pati problem organizative dhe stinorin e përfundoi në pozitën e 10-të me vetëm 13 pikë, dy më tepër se Flamurtari që aktualisht është në pozitën e 11-të, që shpie në rang më të ulët të garave, por 13 më pak se Gjilani që renditet i teti dhe gjendet në zonën që siguron mbetjen në Superligë.

Megjithatë, i rikthyeri në radhët e Besës, Robert Gjeraj, është optimist se pranvera do të jetë shumë më e frytshme për skuadrën pejane. “Sapo jemi kthyer nga përgatitjet dhe mendoj se jemi të gatshëm për sfidat që na presin. Atmosfera në klub është shumë e mirë, jemi të motivuar dhe besoj se do t’i arrijmë objektivat tona”, ka thënë Gjeraj për Insporti.com.

Ai ka theksuar se, nuk është e pamundur që Besa t’i shmanget edhe barazhit. “Numri i vogël i pikëve në pranverë na e vështirëson punën, prandaj ne duhet të mendojmë se do të gjendemi në barazh, por nuk është e pamundur që t’i shmangemi edhe pozitës që na dërgon në atë ndeshje, që është më e vështirë sidomos në aspektin psikologjik”, ka shtuar mbrojtësi me përvojë, i cili pjesë e Besës ka qenë edhe në periudhën 2003-2006 kur pejanët e fituan tri herë radhazi titullin e kampionit.