Rifati për ligën mbarëkombëtare: Zbatimi i saj i vështirë, Shqipëria fituesi më i madh nga e gjithë kjo

Superliga e Kosovës në basketboll si dhe ajo e Shqipërisë priten të formojnë një ligë të përbashkët shqiptare me shumë ekipe në të.

Kësaj lige, me gjasë pritet t’i shtohen edhe skuadra shqiptare nga Maqedonia e Veriut, e gjitha kjo pas deklaratave të fundit të Presidentit të FSHB-së, Avni Ponari, shkruan Gazeta OLLE.

Lidhur me këtë çështje, për gazetën ka folur trajneri i Ponte Prizrenit, Arbnor Rifati.

Sipas tij, zbatimi i këtij plani pritet të jetë mjaft i vështirë, duke pasur edhe parasysh aspektin financiar pas kësaj krize të koronavirusit.

“Edhe në deklaratat e më hershme kam thënë se kjo është një marrëveshje shumë e mirë në letër, por zbatimi i saj është shumë i vështirë”, tha fillimisht Rifati.

“Çdo skuadër do të ketë udhëtime shtesë, që e bën të ketë ekstra kosto të shpenzimeve financiare, thjesht besoj se do të jetë e paparëballueshme pas kësaj pandemie të koronavirusit”, shtoi ai.

Tutje, tekniku Rifati tha se ligat e tilla janë të mirëseardhura, ndërsa si përfitues më të madh e sheh Superligën e Shqipërisë, pasi sipas tij ka ngecje në cilësi dhe organizim.

“Çdo ligë është e mirëseardhur por mos të harrojmë se fokusi kryesorë duhet të jetë në Superligën tonë. Përfitues nga e gjithë kjo ligë do të ishin të gjithë, po në veçanti basketbolli i Shqipërisë ku dihet që nuk posedojnë cilësinë dhe organizimin e klubeve sikurse në Kosovë”, përfundoj Rifati.

Rifati dhe Ponte Prizreni këtë vit si synim kishin fazën finale të play off-it, por që pandemia e koronavirusit ka bërë që kampionati të anulohet në tërsi./Gazeta OLLE