Rekordi i zi i Ballkanit në futbollin kosovar, ja edicioni kur “hëngri më shumë gola se dreka”!

Skuadra që ka nisur të krijojë një identitet të ri me lojë të shpejtë e të bukur, Ballkani, mbanë një prej rekordeve më të zeza të futbollit kosovar në periudhën e pasluftës.

Në edicionin e parë futbollistik në Kosovën e lirë, 1999/2000, Ballkani e ka shënuar një rekord që shumë vështirë që do t’ia thyejë dikush tjetër ndonjëherë, përcjellë Gazeta Olle.

Atë sezon, skuadra nga Suhareka i ka pësuar plot 135 gola, duke u renditur në pozitën e fundit në klasifikim.

Në 34 ndeshje të zhvilluara, portokallezinjtë kishin renditur dy fitore, katër barazime dhe plot 28 humbje.

Kjo shihet në tabelën e atij edicioni, të publikuar në librin “Futbolli i Kosovës 1919-2019” nga doajeni i gazetarisë sportive, Azem Brovina.

Tabela përfundimtare e edicionit 1999/2000, marrë nga libri “Futbolli i Kosovës 1999-2019”, i doajenit Azem Brovina

Ballkani e kishte mbyllur sezonin në pozitën e fundit me 10 pikë, për të rënë një kategori më poshtë.

Për t’a “përkthyer” në statistikë këtë rekord të shëmtuar, i bie që Ballkani i ka pësuar afërsisht katër gola në cdo ndeshje.

Në 20 vitet pasuese, pra deri më sot, asnjë skuadër tjetër në vend nuk ka arritur as t’i afrohet rekordit të Ballkanit, e lëre më ta kalojë atë.

Suharekasit janë themeluar në vitin 1947 me emrin Rinia.

Më pas, klubi kishte ndryshuar emrin në “Ballkani”, pasi drejtimin e tij e kishte marrë korporata suharekase me këtë emër.

Prej vitesh, Ballkani ka nxjerrë shumë futbollistë të shquar.

Këtë edicion mund t’i vijë fundi pritjes së gjatë të tifozëve nga Suhareka për ta parë Ballkanin për herë të parë kampion të Kosovës, pasi që skuadra e tyre e zemrës është lidere e Superligës para fillimit të fazës së tretë. /Gazeta Olle/

Rruga drejt titullit | Super-përballjet mes skuadrave të “top-4”-shes: Kush e ka orarin më të favorshëm?