Reali e Barcelona futen në garë për sulmuesin e “Ligue 1”

Victor Osimhen është sensacioni i kampionatit francez “Ligue 1” këtë edicion.

Sulmuesi i talentuar nigerian iu bashkua skuadrës franceze të Lille si zëvendësues i Nikola Pepe-s që kaloi te Arsenali.

21-vjeçari është duke kaluar një formë fantastike, pasi ka arritur të shënojë 15 gola në 31 takime e duke shtuar edhe pesë asistime.

Falë formës së mirë, Osimhen ka zgjuar interesimin edhe të skuadrave të mëdha evropiane, përfshirë këtu edhe dy skuadrat gjigande, Barcelonën dhe Realin e Madridit.

Besohet se dy skuadrat e mëdha spanjolle kanë dërguar agjentë të tyre për ta parë nga afër yllin e ri nigerian.

Lille e ka blerë yllin e saj të ri në verën e vitit 2019 për 12 milionë euro nga skuadra belge e Sharleroi, ndërsa vlera e tij tashmë është rritur edhe disa herë më shumë. Informacionet nga Franca thonë se drejtuesit e Lille për shërbimet e tij kërkojnë një shumë prej 60 milionë euro.