Real Madridi ofron 300 milionë euro për yllin brazilian

Real Madrid po përgatit një ofertë 300 milionë euro për të nënshkruar me yllin e PSG-së, Neymar. Florentino Perez ka nisur tashmë një revolucion në ekipin që financon, në mënyrë që të rinovojë grupin e lojtarëve në merkaton e verës.

Dështimi i Real Madridit në këtë sezon e detyron atë të bëjë një rinovim të plotë dhe Neymar është qëllimi numër një.

Siç është raportuar të premten nga gazeta “Marca” në faqen e parë, Real Madridi do të hyjë fuqishëm në merkato, me arkat financiare të klubit në kushte të mira.

“Një revolucion 300 milionësh” është titulli në kopertinën e “Marca”, e cila shton se “Real Madridi nuk ka probleme likuiditeti për rinovimin. Arkat e klubit janë më shumë se të mbushura”.

Nënshkrimi i Neymar është një prioritet për Florentino Perez, ndërkohë që Cristiano Ronaldo duket të jetë i përjashtuar tërësisht nga projekti i ri.

Kjo është arsyeja pse 300 milionët që Real Madridi ka në dorë për të nënshkruar me Neymar, duhet të shtohen edhe me përfitimet që mund të rrjedhin nga shitjet e lojtarëve aktualë madrilenë. /Gazeta Olle/