Reagon Vokrri: Nuk kam menduar asnjëherë të jem kryetar i FFK’së, me ‘Kamishin’ biseduam për shtatoren e babait

Gramoz Vokrri, djali i legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrri, ka reaguar ashpër pas publikimit të një fotografie të tij.

Gramozi shihet në foto me ish-nënkryetarin e FFK’së, Bekim Haxhiu, trajnerin e Llapit, Tahir Batatina, ish-kreun e Hysit, Hysen Sadiku dhe Bajram Zeqirin.

Ai, në një prononcim për Gazeta Olle, sqaron se ky ishte një takim miqësor ku diskutoi me Haxhiun për nismën e këtij të fundit për realizimin e një shtatoreje për Fadil Vokrrin, teksa njofton se në takim kishte edhe familjarë të tij.

“Nuk po e kuptojë këtë fushatë denigruese ndaj meje, sepse kam qenë shumë i qartë sa i përket FFK’së. Po e ripërsërisë se asnjëherë nuk kam menduar postin e kryetarit të FFK’së”, u shpreh Vokrri për Olle.

“Arsyeja e takimit ka qenë shtatorja që po i bëhet babait tim prapa stadiumit që e mban emrin e tij”, shtoi tutje Gramozi.

“Fatkeqësisht, federata po e përdorë emrin tim për interesa personale, pasi si duket kanë probleme të brendshme dhe më së lehti për ta është të merren me mua duke u munduar të më njollosin, por e kanë të kotë!”, përfundoi djali i legjendës kosovare.