Reagon Sigal Prishtina

Vendimin e drejtuesve të Pallatit të Rinisë dhe të Sportit në Prishtinë, që të gjitha klubet e kryeqyteti duhet të paguajnë për t’u stërvitur dhe për zhvillimin e ndeshjeve, i ka alarmuar klubet nga kryeqyteti i Kosovës. Në një prononcim për Gazetën Tribuna, nënkryetari i Sigal Prishtinës, Lulëzim Ibrahimi, ka thënë se nuk do të paguajnë asnjë cent për palestrën që kanë investuar vet dhe që është ndërtuar me djersën e prishtinasve.

“Nuk jemi të interesuar as të diskutojmë për këtë çështje. Kjo nuk është normale. Ne kemi investuar në atë palestër dhe tash të paguajmë për të luajtur, kjo nuk është në rregull. Nuk jemi të interesuar që të paguajmë për të luajtur në një palestër të tillë. Është e papërballueshme për ne sepse kemi shumë shpenzime. Plus, kjo është ndërtuar me djersën e qytetarëve të Prishtinës e tani të paguajmë”, ka thënë Ibrahimi.

Ai ka bërë thirrje që institucionet shtetërore të gjejnë një zgjidhje.

“Nuk e kemi menduar opsionin që të luajmë në ndonjë palestër tjerët, por me këtë punë duhet të merret Ministria e Sportit dhe Komuna e Prishtinës”, tha numri dy në klubin e Sigal Prishtinës.

Mehmeti: Duhet të reagon Ministria dhe Komuna

Edhe financuesi dhe trajneri i Prishtinës në volejboll në konkurrencën e femrave, Mehdi Mehmeti, e ka kundërshtuar një vendim të tillë.

Sipas tij, Ministria e Sportit dhe Komuna duhet të angazhohen dhe ta zgjidhin këtë problem.

“Të paguajmë për palestrën që është ndërtuar me djersën e prindërve tanë, është dicka e pakuptimtë. Duhet që edhe Ministria e Sportit dhe Komuna të ndërhyjnë dhe ta zgjidhin këtë problem. Nëse nuk na ndihmon Komuna, do të jetë e vështirë për ne. Por edhe ndihma që na japin nga 2 mijë euro nuk po kryen punë”, tha Mehmeti.

Mehmeti theksoi se është për tu çuditur se si, Ministria e Sportit e as Komuna e Prishtinë nuk angazhohen që ta avancojnë sportin femërorë “Në prag të pranimit në arenën ndërkombëtare, të përballemi me gjëra të tilla është shumë keq”, theksoi ai.

Në fund, Mehmeti tha se volejbolli nuk mund të shtyhet me futbollin, basketbollin dhe hendbollin.

Gazeta Tribuna ka provuar të flas edhe me kryetarin e klubit të hendbollit, Prishtina, Nebih Zariqin, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

Vendimi për të paguar për aktivitetet që zhvillohen në palestër dhe në sallat tjera, do të hyjë në fuqi që nga 1 shtatori./Gazeta Tribuna/

Këto janë çmimet në Pallatin e Rinisë

06:00-18:00, 10 euro 1 orë

18:00 – 00:00, 15 euro 1 orë

1000 euro, 1 ndeshje ndërkombëtare

500 euro, 1 ndeshje ndërkombëtare pa shikues

500 euro, 1 ndeshje e kampionatit të Kosovës

100 euro pa shikues

3 euro 1 orë, për sallat e stërvitjeve, plus TVSH.