Reagon Federata: Mos e përzini sportin me politikë

Pak orë para finales së dytë mes Pejës e Sigal Prishtinës, Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka reaguar rreth kërkesës së tifozëve pejanë, që prishtinasit të udhëtojnë drejt qytetit të tyre pa dyshen maqedonase, shkaku i rastit “Kumanova”

Ja reagimi i FBK-së

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) me kujdes të shtuar është duke e përcjell situatën e krijuar pas disa postimeve-deklaratave me përmbajtje të papërgjegjshme dhe kërcënuese në rrjete sociale dhe media, ku fillimisht janë atakuar disa anëtarë të KB Sigal Prishtina.

FBK dëshiron të sqarojë se dënon fuqishëm shtyerjen e çfarëdo agjende politike të individëve ose grupeve të caktuara nëpërmjet basketbollit dhe dëshiron të përsërisë se si organizatë është jopolitike në veprimtarinë e saj dhe qasje të njëjtë presim edhe nga anëtarët tanë, gjegjësisht klubet dhe shoqatat e basketbollit.

FBK kërkon nga KB Peja dhe KB Sigal Prishtina që ndeshjet finale të play-off-it të organizohen në mënyrën më të mirë të mundshme, apelon tek tifozët që të anojnë në mënyrë korrekte dhe kërkon nga organet e rendit e organet përgjegjëse për siguri, me të cilat jemi në kontakt të vazhdueshëm, që me kujdes të shtuar ti qasen kësaj ndeshjeje dhe të sigurojnë rrjedhë normale të saj.

FBK dëshiron të sigurojë KB Pejën, KB Sigal Prishtinën dhe opinionin se do ti përmbahet në tërësi Propozicioneve të Garave dhe akteve tjera normative dhe zyrtarët e FBK-së në ndeshje do të ndërmarrin të gjitha veprimet e duhura brenda kompetencave dhe autorizimeve të tyre që të sigurojnë ambient sportiv për zhvillim të ndeshjes së dytë dhe ndeshjeve të tjera të serisë finale.